Shifrat e INSTAT, paga mesatare në Shqipëri shkon në 870 euro
Në tremujorin e katërt të vitit 2025, tregu i punës në Shqipëri tregon disa sinjale pozitive: është rritur punësimi dhe janë përmirësuar pagat.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për grupmoshën 15-64 vjeç arriti në 75.9%, me një rritje prej 0.4 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart u ngjit në 58.5%, me një rritje vjetore prej 0.9 pikë përqindje, ndërsa shkalla e papunësisë zbriti në 8.3%, ose 0.5 pikë përqindje më pak se në tremujorin e katërt të vitit 2024.
INSTAT raporton se aktualisht janë rreth 1,172,550 persona në punësim dhe 105,906 të papunë.
Paralelisht, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar arriti në 86,984 lekë (rreth 870 euro), duke shënuar rritje me 4.3% krahasuar me një vit më parë dhe 4.4% krahasuar me tremujorin e tretë të 2025.
Sektorët me pagat më të larta vazhdojnë të jenë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 173,283 lekë (rreth 1,733 euro) në muaj, si edhe informacioni dhe komunikacioni, me 131,165 lekë (rreth 1,312 euro).
Rritja më e madhe vjetore e pagave sipas aktiviteteve ekonomike është regjistruar te informacioni dhe komunikacioni (7.9%), ndërsa sipas profesioneve më e lartë ka qenë te forcat e armatosura (10.6%).
Të dhënat tregojnë gjithashtu një zhvendosje të të punësuarve drejt pagave më të larta: pesha e atyre që marrin mbi 120 mijë lekë (rreth 1,200 euro) u rrit nga 14.1% në 16.2%, ndërsa pjesa e atyre që paguhen deri në nivelin e pagës minimale ra nga 14.2% në 12.8%./Euronews Albania/




























