Shfaqja e një njeriu të vetëm – Gurban Gurbanov dhe befasia absolute me Qarabagun në Ligën e Kampionëve

Për Gurban Gurbanovin, stadiumi në kryqëzimin e rrugëve Tahir Baghirov dhe Jabir Aliyev nuk është thjesht një fushë futbolli.
Për të, Karabagu është shtëpia e tij – një vend ku çdo tullë, çdo vendim dhe çdo fitore është ndërtuar nga puna dhe vizioni i tij i palodhur.
Për trajnerin 53-vjeçar, ky klub nuk është thjesht punë; është kuptimi i jetës.

Nga fusha në stolin e trajnerit: Udhëtimi i një legjende
Karriera e Gurbanovit filloi si futbollist, ku ai ishte një nga më të mirët azerbajxhanas të të gjitha kohërave, duke luajtur kryesisht në Rusi dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë i kombëtares post-sovjetike.
Në vitin 2006, ai, si 34-vjeçar, u bë trajner i Neftch, por përballë presionit të madh u shkarkua pas vetëm një sezoni.
Telefonata nga Qarabag ndryshoi gjithçka. Klubi, i zhvendosur nga Agdami në Baku për shkak të luftës në 1993 dhe me vështirësi financiare deri në fillim të viteve 2000, i dha Gurbanovit mundësinë të ndërtonte identitetin e klubit nga themelet.

Filozofia e punës dhe ndërtimi i identitetit
Gurbanov kërkonte disiplinë absolute dhe përkushtim maksimal nga lojtarët, duke u bërë shembulli kryesor: gjithmonë i pari që vinte dhe i fundit që largohej.
Ai vendosi filozofi të qartë dhe stil të përshtatshëm për ekipin, duke integruar lojtarë të huaj dhe duke zhvilluar një sistem që do të sillte rezultate afatgjata.
"Që të jesh në gjendje të mendosh për suksesin në një nivel më të lartë, duhet të besosh sa më shumë që të jetë e mundur te vetja, por edhe te ideja që kemi. Ne po ndërtojmë një sistem që do të na sjellë rezultate në planin afatgjatë dhe ne besojmë fuqimisht në të", kishte deklaruar ai dhjetë vite më parë.

Suksesi në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare
Titulli i parë kampion erdhi në vitin 2013, dhe pas investimeve të Azersun Holding, Qarabag fitoi gjithsej 11 tituj, duke arritur edhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës në 2014. Përmes humbjeve dhe sfidave, Gurbanov mësoi të ndërtojë një ekip të fortë, të disiplinuar dhe me identitet të qartë futbolli.
Në vitin 2017, Qarabag për herë të parë arriti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, një dëshmi e qartë se filozofia e Gurbanovit funksiononte. Suksesi i tyre nuk ishte rastësi, ishte rezultat i një planifikimi dhe vizioni të palodhur. Ai u përpoq gjithashtu të drejtonte ekipin kombëtar të Azerbajxhanit, por po atë vit, hoqi dorë pas vetëm 12 ndeshjesh.

Gurbanov, shihet si Ferguson i Qarabagut
Gurbanov nuk është vetëm trajner, ai është truri i klubit. Ai vendos për gjithçka: nga taktikët në fushë, përforcimet, deri te mënyra e ushqimit dhe udhëtimet e lojtarëve.
Mediat vendase shpesh e krahasojnë me Sir Alex Ferguson, dhe me kohën vetë Gurbanov e ka pranuar se kjo është mënyra e vetme që klubi të funksionojë.
Ai ka refuzuar vazhdimisht oferta nga jashtë dhe ka hequr dorë edhe nga drejtimi i ekipit kombëtar, duke mbetur gjithmonë i fokusuar tek Qarabag.

Një klub më i fortë çdo ditë
Çdo fitore, qoftë ndaj Eintrachtit (3-2) apo ndeshje të tjera në Evropë, nuk e ndalon punën e përditshme të Gurbanovit.
Sot, ata kanë 10 pikë dhe janë në pozitë të mire për të luajtur në play-off, kur ju ka mbetur edhe një ndeshje, ajo me Liverpoolin në “Anfield”.
Për të, çdo mëngjes është mundësi për të ndërtuar një Qarabag më të mirë, më të fortë dhe më të njohur. Çdo vendim, çdo stërvitje dhe çdo lojtar është pjesë e vizionit të tij – Qarabagu i Gurbanit. /Telegrafi/




















































