Tre persona janë lënduar nga një sherr me thikë në pazarin e vjetër të Korçës. Të përfshirë janë dy pronarë lokalesh dhe një person tjetër.

Top Channel njofton se ngjarja ka ndodhur në mëngjes mes personave e më pas ka degraduar në përdorimin e karrigeve të lokalit.


Pas kësaj, njëri prej tyre ka marrë një thikë nga lokali dhe ka plagosur personin tjetër. Aktualisht tre të lënduarit ndodhen në spitalin e Korçës.

Paraprakisht, nga hetimet e para dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të hapësirës publike duke pasur pretendime për vendosjen e karrigeve dhe tavolinave në pjesën e jashtme të dy lokaleve.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se në konflikt janë përfshirë në total 4 persona, dy vëllezër me dy vëllezër të tjerë. 3 prej tyre kanë marrë mjekimin në spital dhe do të shoqërohen në komisariat së bashku me personin e katërt. Nga konflikti ka mbetur i plagosur me thikë njëri prej tyre në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa dy të tjerët kanë dëmtime të lehta nga karriget.