LAJMI I FUNDIT:

Sheraton ia mësynë Hotelit Grand

Sheraton ia mësynë Hotelit Grand

Zinxhiri më i madh i hoteleve në botë, Sheraton ka përpiluar edhe një projekt të ri për Kosovë.

Ky hotel i cili ndodhet në rreth 450 vende të botës, dëshiron ta shtojë në listën e tyre edhe Hotel Grand-in që ndodhet në Prishtinë.


Marriott Group të cilët njëherish janë edhe pronarë të Sheraton, sot së bashku me HORWATH HTL kanë prezantuar projektin e këtij brendi gjigant rreth Hotelit Grand.

Ky prezantim është bërë në zyrën e Odes Amerikane në kuadër të ligjit për investime strategjike.

Po ashtu, ata gjatë ditës janë pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Marriott Group i cili ia mësyn Hotel Grand-it është themeluar gati një shekull më parë në Uashington ndërsa njihet si zinxhiri më i madh i hoteleve në botë ku janë prezent në mbi 130 vende.

Ndërsa gjiganti tjetër HORWATH HTL është marka më e madhe për hoteleri në botë, ku si specializantë të kësaj fushe kanë traditë më shumë se 100 vjeçare.

Pas takimit të dy kompanive të mëdha botërorë së bashku me përfaqësues të Odës Amerikane, është mbajtur edhe një konferencë për media për ta njoftuar opinionin me projektin e tyre që synojnë ta zbarkojnë tashmë edhe në Kosovë.

Arian Zeka, Drejtor i Odës Ekonomike Amerikane e Kosovës tha se sjellja e Sheratonit në Kosovë, do ta vendoste Kosovën në hartën e shteteve të cilat janë të hapura për turizëm dhe do të ishte një hotel i cili i mungon Kosovës dhe qytetit të Prishtinës.

Kurse Miroslav Dragicevic, përfaqësues i kompanisë Horwarg Htl, ka pohuar se planifikojnë të investojnë nga 40 deri në 50 milionë dollarë.

“Misioni ynë ishte ta përcaktonim vizionin se çfarë do të bënim aty, meqenëse projekti i ndërtuar diku 40-50 vjet më parë, nuk është më funksional dhe nuk përshtatet me nevojat urbane dhe ekonomike të Prishtinës dhe Kosovës. Misioni ynë ishte ta përcaktonim vizionin dhe pozicionimin e projektit, në mënyrë që ta testonim projektin para hoteleve më të respektuara në nivel botëror. Sipas vlerësimeve tona, nëse ristrukturimi ndodh bazuar në atë çfarë kemi propozuar, investimi mund të jetë minimum 40-45 e deri në 50 milionë euro, meqë asnjëherë nuk e dimë se në çfarë do të hasim gjatë ristrukturimit, instalimit e gjërave të tjera”, tha ai. /Telegrafi/