Ministri Rexhepi me rastin e 11 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës tha se ndryshimet në qasje dhe sidomos transformimi i këtij institucioni nga një forcë reaguese në një forcë preventive, janë duke dhënë rezultate.

“Këto ndryshime, kërkojnë një përkushtim të vazhdueshëm, si dhe ngitje të kapaciteteve në baza të rregullta. Si rrjedhojë, ne do të vazhdojmë t’u përkrahim në projekte të reja për trajnime të vazhdueshme dhe hapje të perspektivës për forca dhe energji të reja, duke u përshtatur me nevojat e përditshme”.


Ai tha se me qëllim të adresimit të sfidave institucionale dhe operacionale të hasura në aspektin e planifikimit strategjik dhe ofrimit të shërbimit, Policia tashmë ka finalizuar Planin Zhvillimor Strategjik 2011-2015, ndërsa zbatimi i këtij Plani do të jetë një nga prioritetet kryesore.

policia

Ministri Rexhepi i përkujtoi pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës, duke theksuar “Jam i vetëdijshëm se tash për tash detyra që ju e kryeni është një sakrificë dhe shpërblimi për të nuk është në nivelin e duhur, por ju siguroj se jam duke punuar që nga dita e parë në realizimin e përgjegjësive dhe prioriteteve tona të përbashkëta, si dhe për një përmirësim të vazhdueshëm të kushteve të punës dhe beneficioneve tjera në përputhje me Ligjin për Policinë”.

Ndërsa, ushtruesi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Behar Selimi tha se reformat dhe ndryshimet e vazhdueshme në polici janë të mundshme, falë personelit policor me zyrtarë shumë të përkushtuar dhe të guximshëm për t'u përballur me çfarëdo situate dhe që vazhdojnë me dinjitet ta luftojnë çfarëdo joshje korruptive që u bëhet, pavarësisht kushteve jo shumë të mira të punës.

Në këtë manifestim solemn, me rastin e 11 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës morën pjesë edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Sylejman Selimi, si dhe përfaqësues vendorë, të misioneve diplomatike dhe ndërkombëtare në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/