Sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë të hënën se ka "shenja premtuese" se grupi palestinez i rezistencës Hamas do të çmilitarizohet, duke vënë në dukje se "tërësia" e planit të presidentit Donald Trump për Gazën e rrethuar varet nga ky veprim.

"Unë e di që partnerët tanë në Egjipt dhe Turqi kanë qenë të përfshirë në këtë proces. Ka pasur disa shenja premtuese gjatë fundjavës se po i afrohemi një marrëveshjeje në lidhje me çmilitarizimin e tyre", tha Rubio gjatë një interviste me Fox News, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


"Por kjo duhet të ndodhë. I gjithë ky projekt funksionon vetëm nëse Hamasi çmilitarizohet. Derisa të ndodhë kjo, gjithçka është në pikëpyetje", shtoi ai.

I pyetur nëse Uashingtoni do ta mbështeste Izraelin që të rifillonte luftën e tij në Gaza nëse Hamasi nuk i lëshon armët, Rubio tha se nuk do të "spekulonte për atë që presidenti mund të mbështesë ose jo në të ardhmen në një mënyrë teorike".

"Le të shpresojmë se mund ta shmangim këtë. Ky nuk është rezultati që duam. Rezultati që duam është që Hamasi të demilitarizohet dhe që një forcë sigurie palestineze e mbështetur nga një forcë ndërkombëtare sigurie të jetë në gjendje të sigurojë Gazën", tha ai.

Siç kujtojnë mediat, zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, i tha Anadolu javën e kaluar se këmbëngulja për çarmatim dhe anashkalimi i kërkesave të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza bie ndesh me planin e Trump për Gazën.

Duke vepruar kështu, tha ai, "i ndërlikon negociatat për fazën e dytë".

Deklaratat e Qassem pasuan një takim të mbajtur gjatë javës së kaluar në Kajro, kryeqytetin e Egjiptit, i cili mblodhi zyrtarin më të lartë të Hamasit në Gaza, Khalil al Hayya, zyrtarë egjiptianë, përfaqësuesin e lartë për Gazën në Bordin e Paqes Nikolay Mladenov dhe këshilltarin e lartë amerikan Aryeh Lightstone.

Zëdhënësi i Hamasit bëri thirrje për zbatimin e detyrimeve të fazës së parë përpara se të kalohet në diskutime të mëtejshme.

Shtatorin e kaluar, Trump njoftoi një plan për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Faza e parë përfshinte një armëpushim, tërheqje të pjesshme izraelite, lirimin e robërve izraelitë të mbetur në enklavë dhe hyrjen e 600 kamionëve me ndihma çdo ditë.

Hamasi thotë se, ndërsa iu përmbajtë angazhimeve të fazës së parë duke liruar robërit izraelitë, Izraeli dështoi të përmbushte detyrimet e tij humanitare dhe vazhdoi sulmet e tij, duke vrarë 786 palestinezë dhe duke plagosur 2,217 të tjerë. /Telegrafi/