LAJMI I FUNDIT:

Shën Tereza dhe Shën Rugova

Shën Tereza dhe Shën Rugova
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Titulli mund të duket provokues, por ideja nuk ishte të tingëllojë ashtu. Megjithatë, është provokues. Në fakt krejt kjo filloi të artikulohet si ide për kolumnen time të radhës, kur lexova një postim në Facebook, i cili shtronte pyetjen hipotetike nëse do e përjetojë ndokush nga kjo gjeneratë që edhe Ibrahim Rugova të shenjtërohet në Vatikan? Gjithsesi duhet të ketë menduar për veprën e tij jetësore prej humanisti, strategu dhe ideatori vizionar, por edhe për vetë mrekullitë e tij.

Shumëkush mund të dekurajohet dhe të heq dorë nga të besuarit se diçka e tillë është e mundur sapo të përmenden mrekullitë. Por, mua më duket se mrekullitë janë pikërisht ana më e fortë e këtij personaliteti, ndoshta më të rëndësishëm që shekulli i kaluar nxori nga radhët tona dhe ia fali njerëzimit.

Po të kishte bërë ato që arriti të bëjë, si një lider i një populli qindra milionësh, Mahatma Gandi me hindusët, për të larguar një pushtues, numerikisht dhjetëra herë më të paktë në numër, kjo do të kuptohej si një besim në fuqinë dhe epërsinë e madhe numerike dhe idenë se me refuzim dhe organizim do të dominonin mbi teknikën luftarake dhe infrastrukturën ushtarake.

Por, ai udhëhiqte një popull të vogël, të paarmatosur dhe në fund të kësaj lufte të pabarabartë arriti të dali fitues dhe jo vetëm ushtarakisht me ndërhyrjen e NATO-s, por edhe në zgjedhjet e para nacionale duke e mundur klasën e luftërave vendorë, me plebishit popullor, edhe përkundër faktit se tashmë as faktori ndërkombëtar nuk e dëshironte fitoren e tij. Do të pajtoheni se kjo mund të shpjegohet veç me mrekulli. Ai njeri, me rrezatimit e tij, joimponues, kishte magjepsur njeriun e thjeshtë, i kishte bindur ata se fuqia e vërtetë janë ata dhe se gjërat duhet të bëheshin me aprovimin e tyre. Kjo nuk ishte aspak e lehtë të bëhej me një popull i cili njohu perandoritë më të fuqishme të kohëve, ideologjitë dhe liderët më të mëdhenjtë. I këndoi në lahuta, çifteli, sharki, pra i njohu.

Ai përfaqësonte një populli të lashtë dhe të butë i cili ndihej i rrethuar me perandoritë të fuqishme të cilat u ndërruan nëpër shekuj dhe kundër të cilave nuk ia vlente të luftoje i vetëm. Përvoja heroike e Kastriotit dhe pushtimi pesëshekullorë që pasoi mbi një popull të përgjysmuar nga luftërat, ishte mësimi i fundit që duhej mësuar se me perandoritë nuk luftoje i vetëm. Rezistenca paqësore e udhëhequr nga Rugova e kishte këtë kuptim.

Nejse, ky postim nxiti komente nga më të ndryshmet, kryesisht joaprovuese, përbuzëse, nga militantët – qoftë partiakë, qoftë ideologjik, apo edhe fetarë. Madje, me një zë, njëjtë flitej edhe për vetë shenjtërimin e murgeshës Gonxhe Bojaxhiu, shqiptares me shtetësi indiane, me përkatësi fetare katolike dhe me thirrje humaniste e përmasave globale e cila i kaloi të gjitha barrierat nacionale, fetare dhe iu përkushtua njeriut.

Shën Tereza është personaliteti më i rëndësishëm të cilin bota e vlerësoi duke njohur origjinën e tij prej një qytetërimi të lashtë. Këtë qytetërim zakonisht e prezantuan të tjerët dhe vetëm së voni u dëgjua edhe zëri tij.

Po të mos ishin ulur në radhën e parë elita politike shqiptare, e cila nuk njihet për të mirë në përmasa globale, pamja nga mbrëmja e artit dhe kulturës shqiptare që u mbajt me 3 shtator në kishën e Shën Palit në Romë, do të ishte prezantimi më i plotë, më i fuqishëm dhe gjithsesi më i papërlyer i qytetërimit shqiptar përpara qindra miliona njerëzve anembanë globit.

Por, politika jonë nuk ishte gjithnjë kështu. Sidomos viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ajo kishte arritur njohje dhe vlerësim të jashtëzakonshëm global, i cili u përmbyll me ndërhyrjen e parë humanitare në një shtet sovran, nga ana e shteteve të bashkuara në aleancën ushtarake veri-atlantike. U bombarduar Serbia – një aleate e vjetër ruse – dhe kapacitetet e saj ushtarake dhe ekonomike, përfshirë infrastrukturën strategjike, për të mbrojtur një popull i cili kolektivisht e kishte refuzuar pushtimin dhe integrimin në çfarëdo jete institucionale të tyre, në një formë në të cilën ka mundur të e bëjë vetëm një popull i cili nuk ka qenë i lirë asnjëherë – që nga antikiteti – dhe i cili megjithë pushtimet i kishte ruajtur gjuhën, traditën dhe ndjenjën e përkatësisë të civilizimit të lashtë. Në këtë rrugë ishte udhëhequr pikërisht nga z. Rugova, e cila edhe fitoi luftën morale me pushtuesin, i cili me format më primitive po priste rrënjët kulturore të Evropës.

As përpjekjet propaganduese të pushtuesit, apo ato të pretendentëve tjerë për të zënë vendin e tyre, që rrinin në gatishmëri të rikthehen tashmë si “çlirues”, nuk e hutuan qytetërimin e lashtë dhe me rrënjë të forta evropiane. Në fund të fundit, rrënjët e vet identitetit evropian vijnë nga këto hapësira dhe nga antikiteti kur njerëzimi po reflektonte për nocionet themelore të natyrës, të jetës dhe shoqërisë. Pikërisht këtu fillon edhe mrekullia, se një civilizim euro-perëndimor, i cili ka arritur zhvillimin më të madh ekonomik, kishte rigjetur kuptimin duke mbrojtur rrënjët e veta.

Kështu mund të shpjegohet roli që i jepet një shqiptareje në përmasa globale, i jepet epiteti i nënës së botës. Kjo shënon edhe rikthimin e Perëndimit në Ballkan, te rrënjët, ku po zhvillohet lufta për Evropën, e cila përmes Ballkanit sërish po rrezikohet skajshëm. Sërish shqiptarët u bënë barrikadë e gjallë, në përpjekje vetëvrasëse për të mbrojtur Evropën. Dikush mund të thotë se nuk kishim alternativë, por kjo nuk ishte alternativë, sepse kërkonte të pranonim identitet tjetër, të mohoni vetveten dhe Evropën brenda nesh.

Si ndodhi që një popull i cili nuk i dha asnjë qeveri lokale pushtuesit serb, i cili edhe kur i ofronin shumëçka nga vendet e ndryshme të botës në emër të feve apo ideologjive refuzonte gjithçka që binte ndesh ne orientimin e qartë euroatlantik, tash të durojë, madje të mbajë në pushtet njerëz të komprometuar në shumë agjenda të dyshimta ideore, politike e civilizuese, të cilët janë në gjendje të bëjnë marrëveshje gjithfare vetëm për të mbetur në pushtet?

Si mundet një popull heroik, i cili duroi gjithë atë presion të shtetit serb/rus dhe të qëndrojë i rreshtuar pas një udhëheqësi shpirtëror dhe politik si Rugova, dhe idesë së lirisë e pavarësisë, të hesht dhe të lejojë që përfaqësuesit e tij të shkelin të gjitha parimet, metodat dhe ligjet e shtetit të cilin e ndërtuam me aq mund dhe sakrifica pas 2000 vitesh?

Populli i edukuar në lëvizjen humaniste, paqësore, mungoi në të gjitha aktivitetet destruktive dhe sidomos auto-distrukteve. I refuzoi ato, qoftë kur e ftoi pozita apo opozita. Të gjitha të këqijat kjo klasë politike i bëri vet, në emër të popullit dhe me militantë e mercenarë, por populli mungoi, ashtu si mungoi edhe në zgjedhjet e fundit, kur në votime nuk dolën as 40 për qind e qytetarëve. Ata e kuptuan se me vdekjen e Rugovës, të gjithë liderët u dhanë pas plaçkës, duke harruar idealet e lëvizjes paqësore për shtet dhe liri.

Por, kjo nuk mjafton për shenjtërimin, edhe pse presidenti i ndjerë që nga fillimi i karrierës së tij politike, prapa shpinës së tij mbante vetëm një fotografi me Papën e shenjtë. Pse të (mos) shenjtërohet Ibrahim Rugova?

Por, Shën Rugova nuk ishte katolik, komentuan disa që donin të merren më tepër me pengesa formale, sesa me atë se sa e meriton diçka të tillë njeriu i cili ishte ideatori dhe zbatuesi i projektit të katedrales katolike më të madhe në Ballkan, në një vend i cili ka më pak se 10 për qind katolik. Kështu, në qendër të Prishtinës ngrihet impozante katedralja, e cila u kujton të gjithëve se feja e parë monoteiste e shqiptarëve ishte pikërisht katolicizmi. Ishte mrekulli se si një popull me shumicë myslimane e pranoi si një veprim të tillë si krejtësisht normal, e madje në përurimin e saj morën pjesë krerët fetarë të gjitha besimeve, e mbase edhe aty shumica nuk ishin katolikë. Nuk bëhej fjalë për fe gjithsesi, bëhej fjalë për Evropën.

Pa spekuluar për konvertimin e tij në katolicizëm, për çka ishte shkruar dikur, po ndalemi te pengesa tjetër të cilën shumica e shohin si kusht të pakalueshëm. Pra, mrekullitë.

Cilat ishin mrekullitë e tjera – në këtë rast dy mrekullitë e domosdoshme – për shenjtërimin e një personaliteti nga kisha Katolike?

A nuk është mrekulli të shërosh një popull nga dhuna, nga bindja se veç me gjakderdhje mund të fitohet një luftë për liri, deri në vetëflijim, ku i dobëti gjithnjë është vet? A nuk është mrekulli të bindësh një popull të tërë se urtia nuk është dobësi por fuqi se duke u kthyer te rrënjët do të ktheheshim në shtëpinë tonë evropiane?

A nuk është mrekulli kur një popull i rritur me këngë trimërie, me heronj të vrarë pabesisht apo në akte pa fund të vetëflijimit që asnjëherë nuk rezultuan me fitore, të ngre heronj të tjerë, intelektualë apo humanistë shqiptarë, apo të huaj, dhe të shndërrohet kështu edhe vet në një hero kolektiv?

Ibrahim Rugova na bëri ta duam veten, të besojmë në veten, të besojmë se jemi të mirë dhe se rrjedhimisht kemi edhe miq nëpër botë, edhe pse të gjithë përpiqeshin të na bëjnë të besojmë se jemi keqbërës, se në botë jemi vetëm dhe të pafuqishëm.

kështu, Shën Tereza iku larg për të gjetur njeriun dhe për t’u kthyer kështu si shenjtore tek populli i saj, ndërkohë që Shën Rugova qëndroi me popullin e tij, në të mirë e në të keq, duke e krijuar modelin global se si mund të jesh i lirë shpirtërisht dhe se si të munden perandoritë me besim në mirësinë njerëzore edhe atëherë kur krejt të duket se të urrejnë, madje edhe vetveten.

Besimi në vetvete dhe në njerëzimin rikthehet përmes tij te një popull i cili të gjithë zotërat i kishte nga importi dhe besonte në ta sa për formë, sepse deri së voni asnjëri nuk kishte bërë asgjë për ne. Derisa nuk u zemërua dhe nisi raketat dhe aeroplanët për ne…