LAJMI I FUNDIT:

Shekulli XIX, koha kur popujt e Ballkanit donin të visheshin bukur – alla shqiptarçe

Shekulli XIX, koha kur popujt e Ballkanit donin të visheshin bukur – alla shqiptarçe
Vepër e piktorit Edward Lear, me motive nga Shqipëria

Nuk duhet t’i vështroni gjatë shqiptarët për të konkluduar se ata vishen bukur. Harxhojnë shumë para për veshje. Nëse e kemi parasysh se shqiptarët, ekonomikisht qëndrojnë më së keqi në Evropë, veshja e tyre e shtrenjtë krijon habi. Mund të thuhet se në këtë mënyrë shqiptari dëshiron ta fshehë kompleksin e varfërisë.

Nëse i referohemi historisë, shohim se tendenca që me rroba të tregohet statusi social, qoftë edhe i rrejshëm, është mjaft i saktë. Historia na tregon se veshja e bukur te shqiptarët është edhe traditë e moçme. Ne këtë fakt e dimë nga udhëpërshkruesit që e kanë vizituar Ballkanin që nga shekulli XVI e deri në shekullin XIX. Asnjë prej tyre nuk ka kaluar nëpër trojet shqiptare pa e vënë re veshjen e veçantë dhe mbresëlënëse të shqiptarëve. Madje, në fillim të shekullit XIX, udhëpërshkruesit, sidomos ata britanikë, kanë vërejtur që edhe popujt tjerë të Ballkanit visheshin si shqiptarët. Shqiptari në atë kohë ishte në pozitë të tillë sa që tjerët e imitonin. Në këtë kohë ishte bërë modë të vishesh alla-shqiptarçe.


Odiseas Androutsos

William Leake, udhëpërshkrues, ushtarak, topograf dhe më vonë edhe konsull britanik në Shqipëri, gjegjësisht në oborrin e Ali Pashës, më 1804 e vizitoi Shqipërinë. Në veprat e tija ‘Travels in Northern Greece’ i ka përshkruar shqiptarët në hollësi. Në librin e tij Leake flet edhe për një vizitë që ia kishte bërë Hasan beut, guvernatorit të Monemvasias me ç’rast shkroi:

“Veshja shqiptare çdo ditë është duke u bërë e zakonshme në More sikur edhe në pjesët tjera të Greqisë; në këtë të fundit [Greqi] është për shkak të zgjerimit të pushtetit të shqiptarëve; në More, me siguri për shkak të pasojave të zhvillimit të Ydhra-s, e cila është një koloni me vendbanime fshatare shqiptare që janë vendosur në disa pjesë të Moresë, veçanërisht në Argolis, sikur edhe në provincat fqinje të Atikës dhe Boetisë. Veshja është më e lehtë dhe më e menaxhueshme se ajo turke dhe greke. Është e zakonshme për turqit dhe grekët që t’i veshin fëmijët e tyre sikur shqiptarë, edhe pse kjo nuk është në pajtim me dinjitetin dhe paragjykimet e tyre që edhe ata ta adoptojnë këtë veshje për vete. I biri i Hasanit është i veshur l’Albanoise [shqiptarçe] kurse ai vetë sikur galonxhi apo detar turk”. (f. 189-90).

Pra, Leake na tregon se të tjerët visheshin si shqiptarët për dy arsye: Nën një, për shkak të pushtetit që paraqiste pamja e shqiptarit; dhe, nën dy, për shkak të prezencës së shqiptarëve në ato hapësira gjeografike.

Veshja e një roje shqiptare në Stamboll

Pak vite më vonë kryengritësit grekë, sidomos udhëheqësit, të gjithë visheshin si shqiptarët. Një pikturë e vitit 1870, e cila ruhet në muzeun e Athinës, e paraqet komandantin grek, Odiseas Androutsos, të veshur tërësisht me rroba shqiptare (shih foton e parë). Dhe, siç dihet, ky nuk është rasti i vetëm.

Ta kishe pamjen e shqiptarit kishte edhe domethënien e njeriut me influencë dhe sidomos atë të karakterit luftarak. Në Perandorinë Otomane askush nuk frikohej nga dikush që nuk ishte shqiptar. Prandaj, shqiptarët pos ushtarakëve, ishin të kërkuar edhe si truproje në tërë perandorinë dhe ne këtë fakt sot e shohim në pikturat e ndryshme që kanë mbetur si shumë të vlefshme në muze dhe koleksione private në botë (shih fotografinë e dytë ku veshjet janë të një shqiptari të zakonshëm në që punonte roje në Stamboll dhe të cilat rroba janë të vitit 1880 e që sot ruhen në muzeun e Edinburgut).

Në këto piktura veshja e shqiptarit është brilante. Po ashtu janë edhe armët dhe tërë pamja e tyre. Me një fjalë, veshja shqiptare ka qenë pamje e uniformës së superioritetit.

Lord Byron

Veshjen e shqiptarit apo pamjen e tij në Britani të Madhe i pari e solli Lord Byroni. Në vitin 1813, Thomas Phillips, piktori më i njohur i portreteve të asaj kohe në Britani, e pikturoi Lord Byronin të veshur me këto rroba. Piktura u vendos në Galerinë e Arteve në Londër, ku njerëzit pritnin në radhë jo vetëm që ta shihnin Byronin, por edhe rrobat shqiptare mahnitëse.

Natyrisht, nuk kanë qenë të gjithë shqiptarët të veshur me këto rroba si të Byronit. Në Prevezë, në vitin 1809, i tërë kompleti Byronit i kishte kushtuar 40 funte. Kjo ka qenë shumë e madhe e parave. Sipas llogarisë së sotme flasim për një shifër që është dikur rreth 3700 euro. Dhe, natyrisht, kështu janë veshur vetëm një numër i vogël i aristokracisë shqiptare.

Nga atëherë gjërat kanë ndryshuar shumë. Sot askush nuk dëshiron të duket si shqiptari. Madje, as vetë shqiptarët. Sot shqiptarët vishen sikur tjerët, me rroba të bukura ‘Made in Bangladesh’ apo ‘Made in China’. /Telegrafi/