LAJMI I FUNDIT:

Shefi i Apple, Cook: Nuk duam që njerëzit të përdorin shumë telefonat

Shefi i Apple, Cook: Nuk duam që njerëzit të përdorin shumë telefonat

“Filozofia ime është që nëse kaloni më shumë kohë duke parë telefonin tuaj sesa sytë e dikujt, ju po bëni gjënë e gabuar”, thotë Tim Cook.

Në botën moderne, të ngarkuar dhe dixhitale ku jetojmë, ekranet janë të pashmangshëm dhe fjalë për fjalë gjenden kudo rreth nesh.


Nga orët inteligjente në kyçet tona deri te telefonat, tabletët, monitorët dhe televizorët. Së shpejti, këto ekrane mund të jenë edhe më afër nesh me zhvillimin e syzeve inteligjente dhe pajisjeve AR/VR, që do të thotë se ne do ta mbajmë vazhdimisht ekranin mbi vete dhe do ta heqim atë vetëm kur flemë.

Studime të shumta të mëparshme kanë treguar se sa të rrezikshëm mund të jenë ekranet, apo përdorimi i tepërt i tyre, veçanërisht për të rinjtë. Njeriu i parë i Apple, Tim Cook, beson se duhet të mendojmë me kujdes për mënyrën se si i përdorim pajisjet dhe kohën që kalojmë me ekranet.

Edhe pse duket ironike, sepse është pikërisht varësia njerëzore, pra nevoja për ekrane që Apple gjeneron të ardhura dhe fitime të pabesueshme, Cook thotë se nuk dëshiron që fëmijët të ngjiten pas produkteve të kompanisë së tij.

Fëmijët e sotëm kanë lindur në epokën dixhitale dhe, siç shpjegoi Cook në një intervistë, ata tashmë janë dixhitalë, por është shumë e rëndësishme të vendosni kufij kur bëhet fjalë për sjelljen e tyre në botën dixhitale. Ai beson se përdorimi i teknologjisë në klasa duhet të jetë i kufizuar dhe nuk dëshiron që nipi i tij (Cook nuk ka fëmijë) të kalojë shumë kohë në rrjetet sociale.

Ai gjithashtu zbuloi se përdor shpesh opsionin “Screen Time” në iPhone për të kufizuar kohën që kalon në ekrane.

“Filozofia ime është që nëse kaloni më shumë kohë duke parë telefonin tuaj sesa sytë e dikujt, po gaboni”.

Në vend që të shikojë ekranet, Cook-it i pëlqen ta kalojë kohën e lirë në natyrë. Ai është një adhurues i çiklizmit dhe ecjes dhe beson se gjëja më e mirë që mund të bëni është të kaloni kohë në natyrë në vend që të shikoni ekranet. /Telegrafi/