SHBA-të ndalojnë modelet e reja të dronëve të huaj, një goditje për gjigantin kinez DJI

Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) i SHBA-së ka shtuar kompanitë kineze DJI dhe Autel, si dhe të gjithë dronët dhe komponentët e prodhuar jashtë SHBA-së, në listën e subjekteve që konsiderohen rrezik për sigurinë kombëtare.
Ky vendim ndalon miratimin e modeleve të reja të dronëve për import ose shitje në Shtetet e Bashkuara, por nuk prek pajisjet që janë tashmë të autorizuara.
FCC theksoi se dronët e blerë më parë mund të vazhdojnë të përdoren ligjërisht nga konsumatorët dhe institucionet.
Vendimi përbën një përshkallëzim të fortë të përpjekjeve të Uashingtonit për të kufizuar praninë e dronëve kinezë në tregun amerikan.
Autoritetet amerikane argumentojnë se dronët e huaj paraqesin rreziqe si mbikëqyrja e paautorizuar, rrjedhja e të dhënave dhe dobësitë në zinxhirin e furnizimit.
DJI, prodhuesi më i madh i dronëve në botë, u shpreh i zhgënjyer nga vendimi dhe tha se nuk është sqaruar baza e vlerësimit të rrezikut.
Kina reagoi ashpër, duke e cilësuar masën diskriminuese dhe një interpretim të tepruar të konceptit të sigurisë kombëtare.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë deklarojnë se synimi është forcimi i prodhimit vendas dhe mbrojtja e sigurisë kombëtare përpara ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare si Lojërat Olimpike dhe Kupa e Botës. /Telegrafi/


















































