LAJMI I FUNDIT:

SHBA-ja bëhet gati për vaksinimet e para kundër coronavirusit

SHBA-ja bëhet gati për vaksinimet e para kundër coronavirusit

Rreth 11 muaj pas rastit më të hershëm të regjistruar nga coronavirusi në SHBA, punonjësit mjekësorë po përgatiten t’i japin dozat e para të vaksinës Pfizer-BioNTech, pasi dërgesat do të mbërrijnë në vendet e administrimit rreth orës 8 të mëngjesit (sipas kohës lokale).

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e miratoi të premten vonë përdorimin emergjent të vaksinën Pfizer.


“Ne presim që rreth 145 qendra në të gjitha shtetet t’i marrin dozat e vaksinës të hënën, 425 qendra të tjera të martën dhe 66 të mërkurën, të cilat do të përfundojnë dorëzimin fillestar të porosive”, pati thënë të shtunën Gustave Perna, zyrtari kryesor i programit Operation Warp Speed.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, kanë rekomanduar që punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe banorët e institucioneve të kujdesit afatgjatë të vaksinohen të parët.

Gjendja aktuale për sa i përket situatës pandemike në SHBA mbetet ende kritike, për shkak të rritjes së rasteve dhe numrit të viktimave.

Bëhet e ditur se në 13 ditët e para të dhjetorit më shumë se 30 mijë njerëz kanë ndërruar jetë në SHBA. /Telegrafi/