Ushtria amerikane po shqyrton zyrtarisht riemërtimin e luftës me Iranin në “Operacioni Çekani”, në rast se armëpushimi aktual prishet dhe presidenti amerikan, Donald Trump vendos të rifillojë operacione të mëdha luftarake.

Sipas dy zyrtarëve amerikanë, një veprim i tillë do t’i mundësonte administratës së Trumpit të anashkalojë Kongresin dhe të rinisë afatin 60-ditor për miratimin e veprimeve ushtarake, raporton NBC News.


Diskutimet për zëvendësimin e emrit “Operacioni Zemërim Epik” me “Operacioni Çekani” tregojnë se sa seriozisht po e shqyrton administrata vazhdimin e luftës që filloi më 28 shkurt.

Duke ndryshuar emrin e operacionit, Trump mund të argumentojë se po nis një konflikt të ri, duke e rikthyer kështu në fillim afatin për miratimin e Kongresit.

Sipas Rezolutës për Kompetencat e Luftës të vitit 1973, presidenti duhet ta njoftojë Kongresin brenda 48 orëve nga fillimi i luftimeve, ndërsa nëse Kongresi nuk e miraton veprimin ushtarak, trupat duhet të tërhiqen brenda 60 ditëve.

Operacionet sulmuese të “Zemërimit Epik” u ndalën pas 40 ditësh, ndërsa administrata pretendon se për shkak të pauzës, afati 60-ditor nuk është arritur. /Telegrafi/