Sharon Osbourne ka ndarë për herë të parë një reagim personal pas vdekjes së bashkëshortit të saj, legjendës së rock-ut Ozzy Osbourne, i cili ndërroi jetë më 22 korrik në moshën 76-vjeçare.

Në një postim në Instagram të shtunën, 72-vjeçarja shoqëroi një video nga pasioni i saj i ri për gjuetinë me falkonj me një deklaratë prekëse rreth procesit të saj të përballjes me humbjen.


“Ende po has vështirësi në gjetjen e fjalëve për të shprehur mirënjohjen për dashurinë dhe mbështetjen që keni treguar”, shkroi Sharon, shkruan DailyMail.


“Komentet dhe homazhet tuaja më kanë mbajtur gjallë shumë netë. Edhe pse ende po përpiqem të gjej ekuilibrin tim, doja të ndaja këtë përvojë magjike me këta zogj të fuqishëm, ku lidhja bazohet tërësisht në besim dhe siguri”.

Vajza e saj, Kelly Osbourne, tregoi se ky hobi i ri në Cornwall i ka sjellë buzëqeshjen sërish në fytyrën e nënës. Ajo publikoi një video ku Sharon shfaqej duke mbajtur një buf mbi dorë, duke falënderuar ekipin e Cornwall Falconry për eksperiencën.

Ozzy Osbourne, i diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 2019, u varros në pronën e familjes në Buckinghamshire, ku funeralit iu bashkuan familjarë, miq të ngushtë dhe figura të njohura të muzikës rock, mes tyre Marilyn Manson dhe kitaristi Zakk Wylde.

Dokumentet zyrtare treguan se shkaku i vdekjes lidhej me një arrest kardiak, infarkt akut të miokardit dhe sëmundje të arteries koronare.

Pas vdekjes së Ozzy-t, transmetuesit kryesorë si BBC dhe Paramount+ kanë përgatitur dokumentarë për jetën e tij, por disa projekte janë shtyrë për shkak të shqetësimeve të familjes mbi mënyrën e realizimit dhe tonin e tregimit.

Ndërkohë, Sharon Osbourne vazhdon të ndajë me publikun momente personale nga rrugëtimi i saj i dhimbshëm, duke falënderuar fansat për mbështetjen e jashtëzakonshme. /Telegrafi/