Kandidati për deputet nga koalicioni NISMA/AKR/PD, Haxhi Shala, ka thënë se prioritet do të jetë edhe për ta çështja e listave të veteranëve por sipas tij nuk do të ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë.

Shala, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se përgjegjës për listat e veteranëve është qeveria që ka qenë në kohën kur janë bërë listat.

“Kur është bërë verifikimi i veteranëve dihet se cili koalicion ka qenë në qeveri. Qeveria ka qenë në mbikëqyrje të gjithë atyre proceseve. Topi tash nuk mund të hidhet diku tjetër”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kandidati për deputet nga koalicioni NISMA/AKR/PD ka thënë se ka pasur marrëveshje politike për listat e veteranëve në atë kohë.

“Ka pasur marrëveshje politike sepse në lista është futur edhe një pjesë e njerëzve që kanë vepruar në Shqipëri apo diasporë e që në bazë të ligjit nuk iu takon statusi i veteranëve luftëtarë”.

Shala thotë se edhe ligji ka mangësi pasi edhe në formularin e aplikimit duhet të shkruhen betejat ku ushtari ka marrë pjesë./Telegrafi/