LAJMI I FUNDIT:

Shabani premton ditë më të mira për Vushtrrinë

Shabani premton ditë më të mira për Vushtrrinë

Në sallën e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të shtunën ka hapur zyrtarisht në Vushtrri fushatën për zgjedhjet lokale për balotazh për kryetar komune.

Kandidati për kryetar komune nga radhët e AAK-së, Muharrem Shabani, ka thënë se me qeverisjen e tij, për komunën e Vushtrrisë do të ketë ditë të mira.

Shabani u ka premtuar vushtrriasve se qysh në fillim të mandatit të tij do ta kthejë në funksion fabrikën e Llamkos-it dhe si dhe do ta ndërtojë fabrikën e ujit, e cila megjithëse ishte premtuar nga qeverisja aktuale e Vushtrrisë, “nuk u realizua ashtu si edhe shumë premtime të tjera”.


“Qeverisja aktuale e Vushtrrisë, nuk ka të drejtë morale të kërkojë votën e vushtrriasve për vetë faktin se shumë premtime nuk janë realizuar, varfëria është rritur, shumë fabrika janë mbyllur, si dhe sipas disa hulumtimeve nga disa organizata ndërkombëtare del se komuna e Vushtrrisë është shpallur ndër komunat më të papastra si dhe komuna e parafundit me besueshmëri të qytetarëve”, ka thënë në mes tjerash Shabani.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në fjalim e tij para të pranishmëve ka thënë se qeverisja lokale dhe ajo qendrore kanë dalë jashtë binarëve. “E kemi zgjedhur pikërisht Vushtrrinë këtë qytet historik dhe të dijes për ta nisur fushatën për balotazh. Jemi dëshmitar se qeverisja aktuale e Kosovës nuk po punon për të mirën e vendit” ka thënë në mes tjerash kreu i AAK-së.

Ndryshe, të pranishëm në këtë tubim të AAK-së në Vushtrri kanë qenë edhe disa ish-kandidatë të partive të tjera si dhe përfaqësues të degëve të LDK-së, LDD-së, AKR-së dhe të partisë turke në këtë komunë. /Telegrafi/