Sfida e femrës në profesionin ligjor?

Trajtimi i barabartë dhe i paanshëm i gjithë pjesëtarëve të shoqërisë dhe përfaqësimi i tyre i plotë në sferat e zhvillimit publik, ekonomik dhe social janë me rëndësi thelbësore për arritjen e demokracisë solide dhe të qëndrueshme.
Shikuar nga këndi historik, profesioni ligjor ka qenë privilegj i gjinisë mashkullore e cila dëshmon qartazi edhe për barazinë gjinore e cila ka ekzistuar më herët ndërmjet mashkullit dhe femrës. Paragjykimet shoqërore dhe kontradiktat e sistemeve të caktuara sociale kanë pamundësuar angazhimin e femrës jo vetëm në profesionin ligjor, por edhe në sferat tjera të ndërlidhura, të shoqëruara me një mungesë të kulturës për edukim të mirëfilltë.
Krahasuar me 50 vitet e fundit, zhvillimi intelektual i femrës ka evoluar prej rolit të saj si një amvise, grua e nënë, në një shkallë tjetër më të avancuar e cila ka nxjerr në pah thirrjen e saj për barazi gjinore, zhvillimin e saj edukues dhe marrjen e përgjegjësive tjera jashtë kufijve të përcaktuar. Prandaj, roli i femrës në shoqërinë kosovare i është nënshtruar një vargu të transformimeve kohore në thyerjen e barrierave gjinore si dhe në ndikimin e ndryshimit të raporteve dhe përgjegjësive gjinore.
Krahas kësaj, janë paraqitur edhe sfidat dhe vështirësitë që kanë prekur femrat gjatë përpjekjeve për ngritjen e rolit të saj në kuptim më të shumëfishtë.
Sfidat më të shpeshta me të cilat ballafaqohen femrat në profesionin ligjor janë të natyrës financiare, braktisjes së profesionit për shkak të prioriteteve dhe përgjegjësive familjare, mospërkrahjes institucionale dhe familjare, mungesës së theksuar të vetëbesimit për të depërtuar dhe për të ushtruar detyrën profesionalisht, pafuqinë për thyerje të paragjykimeve rreth zbatimit të këtij profesioni në shoqëri.
Sfidat e tilla e kanë vendos femrën para dilemave në përzgjedhjen e profesionit të saj. Në këtë kontekst, si preventivë urgjente dhe me rëndësi është që të punohet fillimisht drejt ndryshimit të përceptimit të shoqërisë rreth rolit të femrës.
Krahasuar me vitet e mëparshme, është arritur një shkallë vetëdijesimi mbi rolin e femrës në këtë fushë. Dëshira për emancipim kulturor dhe shoqëror të femrës ka ndryshuar mënyrën e të menduarit klasik të shoqërisë. Andaj, angazhimi i saj përkundër sfidave është shpresëdhënës.
Bazuar në statistikat e pasluftës në Kosovë, ka një rritje graduale të numrit të femrave në profesionin ligjor. Kjo është mundësuar edhe nga përfshirja dhe kontributi i femrës në politikë, juridik, ekonomi, mjekësi etj.
Një faktor i madh kontribuues është edhe inkorporimi i modeleve dhe standardeve evropiane nga strukturat lokale dhe ndërkombëtare, të cilët e kanë trajtuar dhe ngritur çështjen e barazisë gjinore në nivel më të lartë. Kjo dëshmohet me raporte të publikuara nga organizatat e ndryshme aktive në Kosovë.
Prandaj, për të eliminuar përfaqësimin jo proporcional gjinor kërkohet që nga institucionet përkatëse të inkurajohet gjinia femërore në ushtrimin e profesionit të përzgjedhur (në rastin tonë, atij ligjor), të miratohen programe apo politika inkurajuese për firmat private rreth punësimit të femrës, të ofrohen projekte trajnuese, të ketë lehtësira gjatë zhvillimit të profesionit në mënyrë individuale, si dhe të ndërmerren fushata të qëndrueshme publike me qëllim të ndryshimit të përceptimit publik për femrat në sferën ligjore dhe më gjerë.
Për të avancuar barazinë gjinore, për fund, citoj Ligjin për Barazinë Gjinore të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, i cili thotë: me qëllim të “ruajtjes, trajtimit dhe përcaktimit të barazisë gjinore si një vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë kosovare duke ofruar mundësi të barabarta për pjesëmarrjen e barabartë të femrave dhe meshkujve në fushën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe të tjera të jetës shoqërore”.
(Autorja ndjek studimet në Master të Drejtësisë, Fakulteti Juridik, UP)




































