Serbia ka regjistruar 53 viktima nga coronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë e Serbisë tha në raportin e saj të martën (12 tetor) se janë shënuar edhe 6.930 raste të reja të të infektuarve bazuar në 23.660 testime.

Në spitalet e këtij vendi po trajtohen 6.591 pacientë dhe prej tyre 269 janë në respiratorë.

Që nga muaji mars i vitit 2020, në Serbi janë regjistruar 8.841 vdekje për shkak të sëmundjes COVID-19 ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në mbi 1 milion.

Në Serbi janë regjistruar mesatarisht mbi 6.500 raste në ditë, gjatë dy javëve të fundit, sipas të dhënave nga AFP. Kjo do të thotë se shkalla e infektimit është prej gati 93.5 për çdo 100.000 njerëz – dukshëm më e larta në botë.

Ndonëse bartja e maskës në ambiente të mbyllura dhe distanca sociale janë të obligueshme, këto masa zbatohen pak, apo fare. Respektimi i rregullave është bërë zgjedhje individuale.

Mjekët e kanë nxitur qeverinë të zbatojë masa të rrepta, si kufizimi i orarit të veprimtarisë së bizneseve jo të domosdoshme, si dhe aplikimi i pasaportës së vaksinës, që do të kufizonte aktivitetet sociale të atyre që ende nuk kanë marrë vaksinën kundër sëmundjes vdekjeprurëse. /rel/