LAJMI I FUNDIT:

Serbia po shkel Marrëveshjen për përfaqësim të Kosovës në Nismat dhe Organizatat rajonale 

Serbia po shkel Marrëveshjen për përfaqësim të Kosovës në Nismat dhe Organizatat rajonale 

Ministria e Punëve të Jashtme ka shprehur keqardhje të thellë, duke e konsideruar të papranueshme shkeljen me paramendim të Marrëveshjes për Përfaqësim të Kosovës në Nismat dhe Organizatat  Rajonale dhe lirinë e lëvizjes së lirë nga Serbia, duke penguar dhe moslejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në Konferencën: “Pavarësia Ekonomike e grave rome: sfidat dhe shkaqet e hershme”, që ishte paraparë të mbahej nga data 31tetor në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës kishte ndërmarrë me kohë të gjitha hapat dhe veprimet dhe kishte njoftuar autoritetet përgjegjëse të shtetit fqinj në lidhje me vizitën dhe përbërjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në këtë ngjarje, por vetëm disa orë para mbajtjes së aktivitetit është njoftuar nga Qeveria e Serbisë se “delegacioni nga Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të marrë pjesë në konferencë”.


“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se këto veprime nga fqinji verior, veç të tjerash i kanë pamundësuar Republikës së Kosovës përcjelljen e trendëve rajonale dhe qasjes ndaj pozitës së komunitetit rom në rajon dhe janë në kundërshtim të plotë me përkushtimin deklarativ për bashkëpunim rajonal, frymën dhe vlerat evropiane dhe zotimin e shprehur për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve”, thuhet në reagim.

Kjo konferencë ishte organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal -RCC, Zëvendës-Kryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviq, Trupi Koordinues për Monitorimin e Implementimit të Strategjisë për Përfshirjen Sociale të Romëve në Republikën e Serbisë dhe CARE International. /Telegrafi/