LAJMI I FUNDIT:

Serbia nuk është e përshtatshme për planet e zgjerimit të BE-së

Serbia nuk është e përshtatshme për planet e zgjerimit të BE-së

Nga: Tony Barber / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Që nga Kroacia në vitin 2013, asnjë vend tjetër nuk është anëtarësuar në BE. Por, nëse gjykohen rekomandimet e së mërkurës së kaluar të Komisionit Evropian, ekziston një momentum i ri prapa projektit – dikur në ngecje – të zgjerimit të BE-së. Brukseli është duke e propozuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim për Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnje-Hercegovinën, duke e bërë Gjeorgjinë vend kandidat – shkalla më e ulët në hierarkinë e anëtarësimit.


Disa fjalë të zgjedhura me kujdes, e arsyetojnë këtë iniciativë. Gjithë anëtarëve të mundshëm – duke përfshirë gjashtë shtetet ballkanike, por me gjasë jo edhe Turqinë – ua përkujtojnë se duhet zbatuar reformat e nevojshme politike, ekonomike dhe administrative, për t’i bërë ato të përshtatshme për anëtarësim. Por, mesazhi i përgjithshëm është i qartë: zgjerimi i BE-së është i dëshirueshëm, madje i nevojshëm, për shkak të rreziqeve me të cilat përballet Evropa pas pushtimit të plotë të Ukrainës – pas shkurtit të vitit 2022 – nga Rusia.

Megjithatë, hidhjani një sy analizave individuale të raporteve të Komisionit për shtetet përkatëse, dhe tabloja është më e paqartë. Në aspektin e demokracisë, të sundimit të ligjit dhe të standardeve ekonomike, asnjë anëtar aspirant nuk është afër përmbushjes së të gjitha kritereve për anëtarësim. Shembull i qartë është Serbia, kandidatja më e madhe në Ballkan për nga popullsia dhe territori.

Na thonë se Serbia po bën shumë pak për të zgjidhur mosmarrëveshjet e saj me Kosovën, me shtetin me shumicë shqiptare i cilin në vitin 2008 shpalli pavarësinë nga Beogradi. Politika e saj e jashtme nuk përputhet sa duhet me BE-në, veçanërisht për shkak të afërsisë me Rusinë. Serbia ka bërë përparim të kufizuar në trajtimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Pavarësia e medias është e dobët.

Në fakt, Komisioni do ta arsyetonte veten po të përdorte një gjuhë edhe më të fortë. Mosmarrëveshja rreth Kosovës është pengesë e madhe për hyrjen e Serbisë në BE. Por, jo më pak serioze është çështja nëse presidenti Aleksandar Vuçiq dhe e Partia së tij Progresive Serbe janë të sinqertë në lidhje me dëshirën për t’u bashkuar me bllokun e 27 vendeve. Leximi më realist i politikave të Serbisë sugjeron se objektivi kryesor i elitës në pushtet është që thjesht të qëndrojë në pushtet, duke e kufizuar – në mënyrat që sfidojnë vlerat themelore të BE-së – opozitën politike dhe duke kontrolluar gjyqësorin, aparatin e sigurisë, sektorin publik dhe mediat. Synimi i dytë është të ruajë një masë pavarësie për Serbinë, duke i kultivuar marrëdhëniet me Rusinë dhe me Kinën.

Ku kanë çuar këto politika? Në korrik, ShBA-ja njoftoi për sanksionet ndaj Aleksandar Vulinit – kreut të agjencisë së sigurisë shtetërore të Serbisë dhe të aleatit të Vuçiqit – për përfshirje të dyshuar në krimin e organizuar ndërkombëtar, në operacionet narkotike, për lidhjet me Rusinë dhe për “promovimin e narrativave etno-nacionaliste që nxisin paqëndrueshmërinë në Serbi dhe në rajon”.

Kjo akuzë kundër Vulin, i cili dha dorëheqje gjatë këtij muaj, i referohet shfaqjes – nën sundimin e Vuçiqit – të konceptit për një “srpski svet” ose për një botë serbe, një nocion që ta kujton qasjen e presidentit Vladimir Putin për një “mir rus” ose për një botë ruse. Moska dhe Beogradi pretendojnë të drejtën dhe detyrën për të “mbrojtur” rusët dhe serbët etnikë që jetojnë jashtë shtetit amë.

Në Ukrainë, ky koncept po shërben si justifikim i Putinit për aneksimin e tokave që i konsideron si pjesë të “botës ruse”. Për Serbinë, kjo nënkupton që jo vetëm Kosova, por edhe Mali i Zi dhe Republika Sërpska – pjesa e banuar nga serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës – duhet të jenë pjesë e një sfere politike të Serbisë së Madhe.

Qëllimet e tilla janë krejtësisht të papajtueshme me procesin e anëtarësimit në BE, por problemi nuk ndalet me kaq. Vuçiqi këtë muaj shpërndau Parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme për në dhjetor, me qëllim të zgjatjes së qeverisjes së partisë së tij. Është e sigurt se votimi nuk do të jetë më i drejtë sesa në zgjedhjet e prillit 2022, për të cilat monitoruesit e pavarur thanë se kanë favorizuan pushtetarët.

Brukseli duhet të marrë merita për shtyrjen para të planeve të zgjerimit të BE-së. Por, në Serbi, procesi është në ngërç dhe po e humb besueshmërinë – duke hedhur dyshime nëse këto plane do të zgjidhin problemin e prapambetjes demokratike dhe të mungesës së stabilitetit rajonal në Ballkan. /Telegrafi/