“Nuk më intereson shumë shkolla, sepse sapo të bëhem 18 vjeç, kam me dalë në Gjermani”!

Florin Lata
“Nuk më intereson shumë shkolla, sepse sapo të bëhem 18 vjeç, kam me dalë në Gjermani”!
Kështu i ishte përgjigjur një djalë 16-vjeçar një miku tim, kur ky e kishte pyetur se si po i shkonin mësimet.
Problemi nuk ishte se një 16-vjeçar dëshironte të shkonte në Gjermani. Problemi ishte se për të largimi nuk ishte mundësi rezervë. Ishte plani i parë.
Familja e tij nuk është e varfër. Nuk bëhet fjalë për një fëmijë që mendon se duhet të largohet për të shpëtuar nga skamja. Ai thjesht është rritur me bindjen se, kur të bëhet 18 vjeç, jeta e tij duhet të vazhdojë diku tjetër.
Njoh edhe një familje që ka një biznes të mirë. Dy djemtë punonin aty, kishin pozita menaxheriale dhe kompania po ecte mirë. Megjithatë, të dy vendosën të largohen për në Gjermani. Sot babai i tyre po kërkon punëtorë dhe mezi po gjen, ndërsa dy djemtë që e njihnin biznesin dhe mund ta vazhdonin atë, jetojnë jashtë vendit.
Në raste të tilla nuk mund të flasim vetëm për papunësi apo varfëri. Po largohen edhe njerëz që kanë punë, shtëpi, të ardhura të mira dhe mundësi reale për ta ndërtuar jetën këtu. Për një pjesë të shoqërisë sonë, emigrimi nuk është më zgjidhja e fundit, por po bëhet gjithnjë e më shpesh zgjedhja e parë.
Largimi është bërë deri diku edhe normë shoqërore. Kur kushëriri është në Gjermani, shoku në Zvicër dhe një pjesë e rrethit e sheh largimin si hapin e ardhshëm të jetës, me kalimin e kohës fillon të duket më e pazakontë të qëndrosh sesa të largohesh.
A ju kujtohet vera e vitit 1999, kur qindra mijëra prej nesh u kthyem brenda një kohe shumë të shkurtër?
U kthyem në shtëpi të djegura, prona të shkatërruara dhe fusha ende të minuara. Nuk e dinim sa do të zgjaste rindërtimi dhe as sa e vështirë do të ishte jeta, por e kishim të qartë se duhej të ktheheshim dhe ta vazhdonim jetën këtu.
Sot kushtet janë pakrahasimisht më të mira, ndërsa për shumë të rinj Gjermania apo Zvicra janë bërë pothuajse vazhdimi i natyrshëm i jetës. Çfarë ka ndodhur ndërkohë me besimin se e ardhmja mund të ndërtohet në Kosovë?
Një pjesë të kësaj bindjeje ua kemi mbjellë edhe vetë fëmijëve tanë. Shumë prindër ua përsërisin prej vitesh se këtu nuk ka të ardhme dhe se jashtë është më mirë. Kur fëmijët largohen, të njëjtët prindër mbesin vetëm dhe ankohen se shtëpia u është zbrazur. Në njëfarë mënyre, i kemi rritur me bindjen se suksesi është diku tjetër dhe më vonë vuajmë pasojat e asaj që ua kemi thënë.
Ka prindër të moshuar që marrin para nga fëmijët jashtë, por jetojnë vetëm. Remitencat ua lehtësojnë gjendjen ekonomike, por nuk e zëvendësojnë praninë e familjes. Ndërkohë, largimi i njerëzve që punojnë, marrin përgjegjësi dhe hapin biznese ka edhe kosto ekonomike. Në rastin e biznesit që përmenda më lart, babai nuk po humb vetëm praninë e dy djemve, por edhe njerëzit që do të mund ta vazhdonin biznesin e tij.
Edhe mënyra si flasim për mërgatën ka rëndësi. Kontributi i saj për Kosovën është i jashtëzakonshëm dhe nuk duhet relativizuar. Por, krahas historive të suksesit jashtë vendit, duhet të flasim më shumë edhe për njerëzit që kanë qëndruar dhe kanë arritur sukses këtu. Nëse të rinjve u tregojmë kryesisht suksesin jashtë, pa dashje mund t’ua krijojmë bindjen se largimi është parakusht për të ecur përpara.
E njëjta vlen edhe për mënyrën si flasim për Kosovën e pasluftës. Kritika ndaj korrupsionit, keqpërdorimeve dhe dështimeve është e nevojshme. Por, nëse gjithë këtë periudhë e paraqesim vetëm si histori dështimi, zhvlerësojmë edhe atë që është ndërtuar gjatë këtyre viteve.
Korrupsion dhe dështime ka pasur, por Kosova e pasluftës nuk është vetëm histori dështimi. Në këto vite janë ndërtuar biznese, institucione, profesione dhe familje, ndërsa qindra mijëra njerëz kanë punuar dhe investuar këtu. Ta mohosh këtë do të thotë ta zhvlerësosh edhe përpjekjen e tyre.
Nëse një të riu ia paraqesim të ardhmen si diçka që gjendet jashtë dhe të kaluarën e afërt vetëm si dështim, nuk duhet të habitemi kur ai, në moshën 16-vjeçare, e sheh largimin si planin e parë.
Ka edhe diçka tjetër që duhet të na shqetësojë. Shpesh po largohen pikërisht njerëzit që kanë ambicie, energji dhe gatishmëri për të provuar. Të njëjtët njerëz që nesër mund të hapin një biznes në Gjermani, Zvicër apo Austri, mund ta kishin hapur dhe rritur atë edhe në Kosovë.
Kosovari nuk mjaftohet lehtë me pak. Ai dëshiron të fitojë më shumë, të krijojë diçka të vetën dhe t’u lërë fëmijëve një jetë më të mirë. Këtë ambicie e shohim edhe te ata që kanë qëndruar në Kosovë, edhe te ata që janë larguar.
Ajo që duhet të na shqetësojë është se gjithnjë e më shumë njerëz po mendojnë se këtë ambicie mund ta realizojnë vetëm duke u larguar.
Nëse ambicia nuk gjen vend në Kosovë, ajo nuk shuhet. Thjesht largohet.







































