I bllokuar në Ukrainë, Putini mund të dëshirojë ta përçajë NATO-n

Trumpi duhet ta bindë Moskën se sulmi ndaj një aleati do të sillte pasoja reale.
Nga: Clifford D. May, themelues dhe president i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Thuhet se presidenti Eisenhower këshillonte se, nëse një problem nuk mund të zgjidhet, duhet ta zmadhoni atë.
A po e zbaton tani, në mënyrë të mbrapshtë, sundimtari rus Vladimir Putin këtë maksimë? Vë bast me një rubël se CIA mendon kështu.
Problemi të cilin z. Putin nuk mund ta zgjidhë është, natyrisht, Ukraina. Në vitin 2014, lideri autoritar rus pushtoi, okupoi dhe aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës. “Komuniteti ndërkombëtar” thjesht psherëtiu.
Në gusht 2021, z. Putin ishte dëshmitar i tërheqjes kaotike dhe të turpshme të presidentit Biden nga Afganistani. Jam i bindur se kjo e shtyri atë të besonte se ShBA-ja ishte në tërheqje dhe nuk përbënte asnjë pengesë për ambiciet e tij neoimperialiste.
Më 24 shkurt 2022, trupat dhe tanket ruse ndërmorën një sulm nga disa drejtime ndaj Ukrainës. Pushtimi ishte qëllimi dhe shumica e analistëve ushtarakë prisnin që z. Putin ta arrinte atë shpejt.
Uashingtoni ofroi ta nxirrte Volodymyr Zelenskyyn nga vendi. Presidenti ukrainas u përgjigj me fjalët tashmë të famshme: “Kam nevojë për municione, jo për transport”.
Që atëherë, ukrainasit kanë luftuar me mish e me shpirt, duke e kuptuar se, po të dorëzoheshin - apo edhe të hidhnin këmbën në një “rrugëdalje” të rrëshqitshme - pavarësia e tyre së shpejti do të shuhej. “Komuniteti ndërkombëtar” thjesht do të psherëtinte.
Vetëm kjo nuk e shpjegon mbijetesën e Davidit ukrainas, pavarësisht krimeve të luftës të kryera nga Goliati rus për katër vjet e gjysmë.
Ukrainasit, gjithashtu, dhe në mënyrë të mrekullueshme, janë bërë ekspertë botërorë të një versioni të teknologjisë së lartë të hobesë së Davidit: shkencës me zhvillim të shpejtë të luftës me dronë. Industria e tyre e mbrojtjes prodhoi më shumë se katër milionë dronë në vitin 2025. Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes për këtë vit është të paktën shtatë milionë.
Kjo na sjell te kostoja e kësaj lufte.
Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare vlerëson se forcat ruse kanë pësuar rreth 1.4 milionë humbje në njerëz, që do të thotë të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur nga shkurti i vitit 2022 e deri në qershor të këtij viti, përfshirë deri në 450 mijë të vdekur.
Numri i ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë është më shumë se katër herë më i lartë se numri i amerikanëve të vrarë në të gjitha luftërat së bashku - që nga Lufta e Dytë Botërore.
Edhe humbjet ushtarake të Ukrainës janë të rënda: 525 mijë deri në 625 mijë ushtarë të vrarë, të plagosur ose të zhdukur. Megjithatë, raporti i humbjeve ka ndryshuar ndjeshëm në favor të saj. Gjatë pjesës më të madhe të luftës, për çdo ushtar ukrainas binin dy ose tre ushtarë rusë. Në gjysmën e parë të vitit 2026, kjo iu afrua raportit tetë me një.
Javën e kaluar, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Moskë, ku u takua me Sergei Naryshkinin, drejtorin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, dhe Alexander Bortnikovin, drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë, operacionet e të cilit shtrihen thellë në Ukrainë.
Hera e fundit kur një drejtor i CIA-s shkoi në Moskë, me sa dimë, ishte në nëntor të vitit 2021, kur William J. Burns u përpoq të bindte z. Bortnikov dhe udhëheqësit e tjerë të Kremlinit se Rusia nuk do të duhej ta pushtonte Ukrainën.
Ajo përpjekje ashiqare dështoi. Në vitet që pasuan, Rusia ka shtuar aktivitetin e saj në zonën gri në Evropë, domethënë veprimet armiqësore që qëndrojnë pak nën pragun e luftës së hapur, përfshirë operacionet kibernetike, sabotazhin, ndërhyrjet në GPS, kërcënimet ndaj infrastrukturës, ndërhyrjet politike dhe “incidentet” me dronë.
Pra, çfarë u tha z. Ratcliffe krerëve të spiunazhit rus? Raportimet e mediave, të bazuara kryesisht në burime anonime që mund të jenë duke i shtrembëruar gjërat në vend që t’i zbulojnë ato, kanë qenë të dyshimta.
Mendoj se ai ka të ngjarë të ketë vënë në dukje se NATO-ja, para vitit 2022, nuk përbënte asnjë kërcënim ushtarak për Rusinë.
Që atëherë, falë agresionit rus, Polonia, shtetet baltike dhe vendet e tjera evropiane i kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e veta mbrojtëse. Finlanda dhe Suedia braktisën traditat e gjata të mos-rreshtimit dhe iu bashkuan aleancës, duke e dyfishuar, mos më shumë, kufirin tokësor të NATO-s me Rusinë.
Ndoshta z. Ratcliffe sugjeroi se zgjerimi i luftës nuk do t’u shërbente interesave të Rusisë.
Pse rusët mund ta kenë konsideruar këtë si jo bindëse?
Ata e dinë se, sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, një sulm ndaj një anëtari të NATO-s duhet të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve. Ata gjithashtu e dinë - dhe kjo është pjesa të cilën amerikanët priren ta harrojnë - se kjo dispozitë e angazhon secilin anëtar të ndërmarrë “veprime të tilla që i konsideron të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcës së armatosur”.
Vini re këto katër fjalë: që i konsideron të nevojshme. Fuqia e traktatit buron nga pritshmëria, jo nga detyrimi.
Prandaj, Kremlini mund të arsyetojë: nëse tani marrim një copëz nga Letonia ose Lituania e vogël, a do ta respektonte vërtet presidenti Trump zotimin? Apo do të vendoste se loja nuk ia vlen mundin, duke pasur parasysh zhgënjimin e tij me anëtarët e NATO-s të cilët ai i konsideron përfitues pa kontribut, pastaj konfliktin më të gjatë dhe më të vështirë nga sa pritej me Teheranin, rezervat e pakësuara të municioneve dhe një rishikim të dislokimit të Pentagonit që do të mund të zvogëlonte forcat amerikane në Evropë?
Nëse Uashingtoni do të refuzonte të mbronte qoftë edhe një aleat të vetëm të NATO-s, aleanca pothuajse me siguri do të shembej. Z. Putin do të merrte urime të përzemërta nga Xi Jinpingu në Pekin, Kim Jong-uni në Phenian dhe Mojtaba Khamenei në Teheran.
Aleatët e Amerikës në Lindjen e Mesme, në Indo-Paqësor e madje edhe në Amerikën Latine do të fillonin t’i siguronit bastet e veta. Dhe, kush do të mund t’i fajësonte?
Kjo mund të jetë ajo që z. Putin ka tani në mendje. Ai nuk mund ta fitojë luftën që nisi, por mund ta zgjerojë atë. Një luftë më e gjerë do t’i mundësonte ta ripërkufizonte fitoren.
Parandalimi kërkon më shumë sesa të thuash “Mos”! (Mjafton të pyesni z. Biden.) Ai kërkon që z. Putin të besojë se z. Trump ka si aftësinë, ashtu edhe vullnetin për të mbrojtur aleatët e Amerikës në NATO.
Radoslaw Sikorski, ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri i Polonisë, nuk është i bindur. Raportimet për takimin, vuri në dukje ai në rrjetet sociale, tregojnë se spiunët e z. Putin e sigurojnë z. Ratcliffe se Rusia nuk do ta provokojë NATO-n - pak a shumë ashtu siç z. Putin e siguroi z. Burns se nuk do ta pushtonte Ukrainën. Përfundimi i tij: “Duhet t’i përshpejtojmë përgatitjet për mbrojtje”.
Në vitin 2021, z. Putin vuri bast se një president amerikan nuk e kishte vullnetin për ta ndalur atë. Ai kishte të drejtë për Uashingtonin. E kishte gabim për Ukrainën. Nëse vë një bast të ri dhe më të madh, presidenti Trump duhet ta detyrojë atë të pendohet për të. /Telegrafi/







































