LAJMI I FUNDIT:

Serbët nxjerrin “Deklaratën e Vidovdanit”

Serbët nxjerrin “Deklaratën e Vidovdanit”

Qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë – Lista Serbe – thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.


Si shembull i kësaj përmendet, mes tjerash, arrestimi i disa qytetarëve serbë, të cilët autoritetet në Kosovë i akuzojnë për “shkelje të rendit kushtetues”, si dhe për sulme ndaj misionit të NATO-s, KFOR, policisë dhe gazetarëv, shkruan Evropa e Lirë.

Disa nga të arrestuarit janë: Millun Millenkoviq – Llune, Dushan Obrenoviq, Dallibor Spasiq, Urosh Vukashinoviq dhe Nemanja Vllashkoviq.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” thuhet po ashtu se, nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”.

“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument.

Në tubimin në Graçanicë foli kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “t’i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës”, por nuk specifikoi se për çfarë rreziku potencial bëhet fjalë.

“Ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, ne kemi problem me një njeri, kemi problem me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti dhe regjimin e tij”, tha Jevtiq.

Me pankarta në duar serbët në Graçanicë e në veri të Mitrovicës në "Marshin për Vidovdanin"
Lexo po ashtu Me pankarta në duar serbët në Graçanicë e në veri të Mitrovicës në "Marshin për Vidovdanin"

Dragisha Milloviq, ish-kryetar i komunës së Zveçanit, foli në tubimin në Mitrovicë të Veriut, ku tha se serbët e Kosovës jetojnë në “kushte dramatikisht të vështira”, por se ata duan që kriza në veri të zgjidhet në mënyrë paqësore.

“Fakti që policët e Kosovës janë liruar, është shenjë se Serbia dëshiron ta zgjidhë këtë krizë në mënyrë paqësore. Është një shenjë dhe një gjest i mirë që shkon në drejtim të shtensionimit. Është një gjest i vullnetit të mirë. Ashtu siç u liruan ata për t’u mbrojtur nga liria, të njëjtën gjë e duam edhe për vëllezërit tanë të arrestuar, që edhe ata të mbrohen nga liria”, tha Milloviq.

Tre policë të Kosovës, të cilët u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan më 26 qershor për t’u mbrojtur në liri.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” përmendet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, thekson, mes tjerash, deklarata.

Deklarata vjen në kohën e tensioneve të rritura në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.

Tash e një muaj gati, serbët atje protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave dhe kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Protestat kulmuan në dhunë më 29 maj, në Zveçan, ku pati dhjetëra ushtarë të KFOR-it të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues serbë.

Serbët i bojkotuan zgjedhjet e prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Komuniteti ndërkombëtar, si hap për shtensionimin e situatës, kërkon nga Prishtina që të organizojë zgjedhje të reja, në të cilat do të merrnin pjesë edhe serbët.

Pse Vidovdani është i rëndësishëm për serbët?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi më herët se në Vidovdan, serbët do të “ndërmarrin hapa aktivë në rrugën drejt lirisë, në përputhje me normat juridike ndërkombëtare”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Në dy vjetët e fundit atje kishte edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

Këtë vit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe njoftoi se më 28 qershor – për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë – përkujtimet për Vidovdanin do të mbahen në Manastirin e Graçanicës, dhe jo në Gazimestan.

Nga ky institucion thanë se nuk i besojnë Policisë së Kosovës dhe se do të kërkojnë që grumbullimi i serbëve të sigurohet nga misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gazimestani dhe fjalimi i Millosheviqit

Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar. /REL/