LAJMI I FUNDIT:

Sëmundjet malinje (kanceri) të gjakut

Sëmundjet malinje (kanceri) të gjakut

Dr. Viola Çavolli, Phd Candidate
Hematologe në Klinikën e Hematologjisë, Prishtinë
email: althea_vgj@hotmail.com

Kanceri që fillon në indet e formimit të gjakut, siç është palca e eshtrave, ose në qelizat e sistemit imunitar siç janë limfonodujt apo shpretka, quhet kancer i gjakut. Sëmundjet malinje të gjakut përbëjnë 6.5% të të gjithë kancereve në mbarë botën, duke përfshirë afërsisht 9.0% në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.


Çfarë e shkakton kancerin e gjakut?

Kanceri i gjakut rrezikon një forcë thelbësore të jetës tonë që janë qelizat tona të gjakut. Qelizat normale të gjakut luftojnë infeksionin, transportojnë oksigjen në të gjithë trupin tuaj pra na japin energji dhe gjithashtu na mbrojnë nga gjakderdhjet. Shumica e kancereve të gjakut fillojnë në palcën e eshtrave, materiali i butë, i ngjashëm me sfungjerin qe gjendet në qendër të kockave tuaja. Palca juaj e eshtrave prodhon qelizat burimore ose mëmë të cilat piqen dhe bëhen qeliza të kuqe të gjakut, qeliza të bardha të gjakut dhe trombocite. Kanceri i gjakut ndodh kur ADN-ja e qelizave të gjakut ndryshon apo dëmtohet. Në kancerin e gjakut, ADN-ja u tregon qelizave të gjakut kur të rriten, kur të ndahen ose të shumohen dhe/ose kur të vdesin. Kur kjo ADN dëmtohet do të prodhohen më shumë qeliza kanceroze dhe do të ulen qelizat normale, për këtë do të kemi ulje të transportit të oksigjenit në qeliza, infeksione të shpeshta dhe gjakderdhje.

Ekzistojnë tre lloje kryesore të tumoreve malinje hematologjike: Leucemia, limfoma dhe mieloma multiple apo e shumëfishtë.

• Leucemia është një kancer i gjakut, i karakterizuar nga rritja e shpejtë e qelizave jonormale të gjakut. Kjo rritje e pakontrolluar ndodh në palcën e eshtrave, ku prodhohet pjesa më e madhe e gjakut të trupit tone. Qelizat e leukemisë zakonisht janë qeliza të bardha të gjakut të papjekura (ende në zhvillim). Termi leucemi vjen nga fjalët greke për “e bardhë” (leukos) dhe “gjak” (haima). Ka shumë lloje të leucemisë. Disa janë më të zakonshme tek fëmijët, ndërsa të tjerat janë më të zakonshme tek të rriturit. Studiuesit mendojnë se leucemia ndodh kur një kombinim i faktorëve mjedisorë dhe gjenetikë shkakton ndryshime të ADN-së. Studiuesit besojnë se ekspozimi ndaj niveleve të larta të rrezatimit ose kimikateve të caktuara luan një rol në ndryshimet gjenetike që shkaktojnë leuceminë. Mjeket e klasifikojnë leuceminë në bazë të shpejtësisë së saj dhe llojit të qelizave të gjakut të përfshirë.

Nga shpejtësia e përparimit të sëmundjes

Leucemia akute. Qelizat e leukemisë ndahen me shpejtësi dhe sëmundja përparon shpejt. Nëse keni leucemi akute, do të ndiheni të sëmurë brenda disa javësh nga formimi i qelizave të leukemisë. Leucemia akute është kërcënuese për jetën dhe kërkon fillimin e menjëhershëm të terapisë. Leucemia akute është kanceri më i zakonshëm tek fëmijët.

Leucemia kronike. Shpesh, këto qeliza leucemie sillen si qeliza gjaku të papjekura dhe të pjekura. Sëmundja zakonisht përkeqësohet ngadalë në krahasim me leuceminë akute. Nëse keni leucemi kronike, mund të mos keni simptoma të dukshme për vite me radhë. Leucemia kronike është më e zakonshme tek të rriturit sesa tek fëmijët.

Sipas llojit të qelizës

Leucemia mielogjene ose mieloide zhvillohet nga qelizat mieloide. Qelizat normale mieloide zhvillohen në qelizat e kuqe të gjakut, qelizat e bardha të gjakut dhe trombocitet.

Leucemia limfocitare zhvillohet nga qelizat limfoide. Qelizat normale limfoide zhvillohen në qeliza të bardha të gjakut që janë një pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar të trupit tuaj.

Qeliza të papjekura apo kanceroze në strishon periferike në leukemi akute

• Limfoma është një kancer që fillon në sistemin limfatik, i cili është një pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar. Limfoma ndodh kur ka një ndryshim në gjenet në qelizat e bardha të gjakut, të quajtura limfocite, që i bën ato të shumohen në mënyrë të pakontrolluar. Nuk e dihet saktësisht se çfarë e shkakton ndryshimin gjenetik, por hulumtimet tregojnë se disa infeksione ose të kesh një sistem imunitar të dobët mund të jenë faktorë.

Ekzistojnë dy klasa kryesore të limfomës: limfoma Hodgkin dhe limfoma jo-Hodgkin. Limfoma jo-Hodgkin është më e zakonshme në moshën madhore të vonë (mosha 60 deri në 80 vjeç) dhe më shpesh tek meshkujt sesa tek femrat. Limfoma Hodgkin është më e zakonshme në moshën e hershme të rritur (20 deri në 39 vjeç) dhe në moshën e rritur të vonë (65 vjeç e lart). Burrat kanë pak më shumë gjasa se gratë të zhvillojnë limfomën Hodgkin të të rriturve.

Gjëndra të rritura në Limfoma

• Mieloma multiple apo e shumëfishtë është një kancer që zhvillohet në palcën e eshtrave dhe prek qelizat plazmatike. Qelizat plazmatike janë qeliza të bardha të gjakut dhe pjesë e sistemit imunitar. Qelizat plazmatike (nganjëherë të quajtura qeliza B) prodhojnë antitrupa. Këto antitrupa, të quajtura imunoglobulina, ndihmojnë në luftimin e infeksionit. Mieloma e shumëfishtë ndodh kur qelizat e shëndetshme kthehen në qeliza jonormale që shumohen dhe prodhojnë antitrupa anormalë të quajtur proteina M. Ky ndryshim fillon një kaskadë çrregullimesh që mund të dëmtojnë kockat deri në thyerjen e tyre, të ndikojnë në veshkat tuaja duke dhënë dëmtim të tyre si dhe ndikojnë në aftësinë e trupit tuaj për të krijuar qeliza të shëndetshme të kuqe, të bardha të gjakut dhe trombociteve, që paraqiten me infeksione, pagjakësi dhe gjakderdhje.

Dëmtimet kockore në Mielomën Multiple

Cilat janë simptomat e kancerit të gjakut?

Simptomat e kancerit të gjakut ndryshojnë në bazë të llojit të kancerit të gjakut, por ka disa simptoma të përbashkëta që janë:

Lodhja: Kjo është ndjenjë e lodhjes është e tillë sa nuk mund të menaxhoni aktivitetet tuaja të përditshme. Ju gjithashtu mund të ndiheni shumë të dobët.

Ethet e vazhdueshme: Temperatura është një shenjë që trupi juaj po lufton infeksionin ose po reagon ndaj qelizave jonormale të kancerit. Kjo temperature ndodh zakonisht në mbrëmje.

Djersitje gjatë natës: Kjo është djersitja që shfaqet papritur ndërsa jeni duke fjetur, duke ju shqetësuar gjumin dhe duke lagur shtratin dhe rrobat tuaja.

Gjakderdhje ose mavijosje e pazakontë: Të gjithë kanë gunga, mavijosje dhe lëndime që na bëjnë të rrjedhim gjak. Gjakderdhja ose mavijosja e pazakontë është gjakderdhja që nuk ndalet dhe mavijosjet që nuk shërohen pas dy javësh.

Humbje peshe e papritur ose e pashpjegueshme: Humbja e papritur e peshës prej 10 kilogramësh gjatë një periudhe gjashtë deri në 12 muaj konsiderohet humbje e pashpjegueshme e peshës.

Infeksionet e shpeshta: Infeksionet e shpeshta mund të jenë shenjë se diçka po ndikon në sistemin tuaj imunitar.

Nyjet limfatike të fryra ose një mëlçi ose shpretkë e zmadhuar: Këto simptoma mund të jenë shenja të leucemisë ose limfomës.

Dhimbje kockash: Mieloma dhe leuçemia mund të shkaktojnë dhimbje kockash ose zona te dhimbshme në kockat tuaja.

Shumë simptoma të kancerit të gjakut janë të ngjashme me simptomat e sëmundjeve të tjera më pak serioze. Të kesh ndonjë nga këto simptoma nuk do të thotë që ke kancer gjaku. Por ju duhet të kontaktoni mjekun tuaj kur vëreni simptoma ose ndryshime në trupin tuaj që zgjasin më shumë se disa javë.

Si e diagnostikojnë mjekët kancerin e gjakut?

Hematologu mund të fillojnë diagnozën duke pyetur për simptomat dhe historinë tuaj mjekësore. Ata do të bëjnë ekzaminime të plota fizike. Ata mund të urdhërojnë gjithashtu disa lloje analizash të gjakut dhe testeve imazherike. Testet që ata do të përdorin mund të jenë të ndryshme për çdo lloj kanceri të dyshuar të gjakut. Testet e përdorura për të diagnostikuar kancerin e gjakut përfshijnë:

Hemogrami: Ky test mat dhe numëron qelizat tuaja të gjakut. Për shembull, mjeku hematolog dyshon se keni leucemi, ai do të kërkojë numër të lartë (ose të ulët) të qelizave të bardha të gjakut si dhe numër më të ulët se numri normal i qelizave të kuqe të gjakut dhe trombociteve.

Strisho periferike e gjakut: Hematologu mund të marrë mostrën e gjakut në mënyrë që ta ekzaminojë atë nën një mikroskop për të kërkuar ndryshime në pamjen e qelizave të gjakut. Për shembull, ata mund të urdhërojnë testin e strishos periferike për të kërkuar shenja të leucemisë akute apo kronike në gjak.

Punksioni dhe Biopsia e palcës së eshtrave: Hematologu mund të marrë me ane të një gjilpëre të veçantë një pjesë ujore të palcës së eshtrave për të analizuar përqindjen e qelizave normale dhe anormale të gjakut në palcën tuaj të eshtrave. Kjo pjesë ujore e palcës mund të analizohet gjithashtu me analizën – flow citometria, për të përcaktuar sëmundje gjaku të ndryshme si llojet e leucemisë akute, mielomën, limfomën etj. Mjeku gjate kësaj procedure merr dhe një pjesë të ngurtë të palcës të cilën e çon në patologji për të bërë analizën e imunohistokimisë, e cila luan gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm për diagnozën e sëmundjeve të gjakut. Ata gjithashtu mund të testojnë mostrën tuaj të palcës kockore për ndryshime në ADN-në tuaj që mund të nxisin rritjen e kancerit.

Tomografia e kompjuterizuar (CT): Ky test përdor një seri rrezesh X dhe një kompjuter për të krijuar imazhe tredimensionale të indeve dhe kockave tuaja. Nëse mjeku juaj dyshon se keni mieloma, ai mund të urdhërojë një skanim CT për të kërkuar dëmtim të kockave, ose nëse dyshon për limfoma, bëhet CT për të kërkuar për gjëndra, apo shpretkë te rritur.

Rezonanca magnetike (MRI): Mjeku mund të urdhërojë një MRI për të kërkuar shenja të leucemisë ose komplikimeve të limfomës që prekin shtyllën kurrizore.

Skanimi i tomografisë me emetim pozitron (PET): Mjeku juaj mund të urdhërojë një skanim PET për të kërkuar shenja të mielomës, leukemisë dhe limfomës.

Punksioni lumbal: Hematologu mund të testojë një mostër të lëngut kurrizor për të parë nëse leucemia është përhapur në lëngun kurrizor që rrethon trurin dhe palcën kurrizore.

Testi sasior i imunoglobulinës: Ky test gjaku mat nivelet e disa antitrupave në gjakun tuaj.

Elektroforeza: Ky test kërkon proteinat M në gjakun tuaj ne rastin e Mielomës Multiple

Si e trajtojnë hematologët kancerin e gjakut?

Trajtimi i kancerit të gjakut nuk është i njëjti për të gjithë. Disa lloje të kancerit të gjakut reagojnë mirë ndaj trajtimeve specifike. Disa trajtime të kancerit të gjakut kanë efekte anësore të rëndësishme. Mjekët marrin parasysh faktorët, duke përfshirë moshën tuaj, shëndetin tuaj të përgjithshëm, llojin e kancerit të gjakut që keni dhe efektet anësore specifike të trajtimit, përpara se të rekomandojnë një plan trajtimi. Disa trajtime të zakonshme për kancerin e gjakut përfshijnë:

Kimioterapia: Kimioterapia është një trajtim parësor i kancerit të gjakut, duke vrarë qelizat e kancerit për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes ose për të eliminuar kancerin. Hematologët përdorin lloje të ndryshme barnash për kancere të ndryshme të gjakut.

Terapia me rrezatim: Mjekët mund të përdorin rrezatim për të trajtuar leuceminë, limfomën ose mielomën. Rrezatimi synon qelizat jonormale, duke dëmtuar ADN-në e tyre në mënyrë që ato të mos të mund të riprodhohen.

Imunoterapia: Ky trajtim përdor sistemin tuaj imunitar për të luftuar kancerin. Imunoterapia mund të ndihmojë trupin tuaj të krijojë më shumë qeliza imune ose të ndihmojë qelizat tuaja imune ekzistuese të gjejnë dhe vrasin qelizat e kancerit.

Transplantimi autolog i qelizave burimore: Hematologët mund të mbledhin dhe ruajnë qelizat tuaja burimore të palcës së eshtrave përpara se të administrojnë doza të larta të kimioterapisë. Pasi të kryhet kimioterapia, ato do të zëvendësojnë qelizat burimore në trupin tuaj.

Transplantimi i qelizave staminale alogjene: Hematologet identifikojnë një dhurues të përshtatshëm të palcës kockore dhe përdorin qelizat e dhuruesit për të zëvendësuar ato të dëmtuara. Kjo është një procedurë efektive, por e rrezikshme.

Terapia me qeliza T CAR: Në terapinë me qeliza CAR T, mjeket i kthejnë limfocitet T – një lloj i qelizave të bardha të gjakut tuaj në trajtim kundër qelizave kanceroze.

Si mund ta zvogëloj rrezikun për zhvillimin e kancerit të gjakut?

Kanceri i gjakut ndodh kur ADN-ja e qelizave të gjakut ndryshon ose dëmtohet. Studiuesit nuk e dinë pse ndodh kjo, gjë që e bën të vështirë të veçosh hapat specifikë që dikush mund të ndërmarrë për të zvogëluar rrezikun e tyre. Por studiuesit kanë identifikuar disa faktorë që duket se luajnë një rol në ndryshimin gjenetik: Ekspozimi ndaj rrezatimit, kimikatet e caktuara, infeksione kronike, obeziteti, viruse të ndryshme si HIV dhe Epstein-Barr, imuniteti i ulur për shkak të infeksioneve, artriti reumatoid, histori familjare te kancerit të gjakut etj.

Si të kujdesemi për veten kur kemi kancer të gjakut?

Kanceri i gjakut dhe trajtimi i kancerit të gjakut mund të ndikojnë në shëndetin tuaj të përgjithshëm. Këtu janë disa sugjerime që mund të ndihmojnë:

Provoni të hani ushqime të shëndetshme çdo ditë. Kanceri i gjakut dhe trajtimi i kancerit të gjakut mund të ndikojnë në oreksin tuaj.

Lodhja është një simptomë e zakonshme dhe efekt anësor i trajtimit. Kushtojini vëmendje trupit tuaj dhe pushoni kur keni nevojë të pushoni, jo vetëm kur mundeni.

Mbroni veten nga infeksioni. Qëndroni në një ambient të ajrosur mirë, pa grumbullime njerëzish dhe kur jeni me njerëz ose jashtë te mbani gjithmonë një maskë mbrojtëse.

Kushtojini vëmendje shëndetit tuaj emocional. Ka kuptim nëse ndiheni të dëshpëruar për situatën tuaj. Flisni me mjekun tuaj nëse trishtimi dhe depresioni zgjasin më shumë se dy javë ose ndërhyjnë në aktivitetet tuaja të përditshme.

Ndoshta jeni të lehtësuar që keni mbaruar trajtimin, por jeni të shqetësuar se kanceri juaj do të kthehet. Bisedoni me mjekun për situatën tuaj në mënyrë që të dini se çfarë të prisni.

Disa njerëz jetojnë me vite me kancer në gjak. Nuk është gjithmonë e lehtë të kesh një sëmundje kronike. Biseda me një terapist ose gjetja e një grupi mbështetës mund t’ju ndihmojë të kaloni këto sfida. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Trajtimi minimal invaziv i metastazave të mëlçisë dhe mushkërisë nga kanceri kolorektal

Trajtimi minimal invaziv i metastazave të mëlçisë dhe mushkërisë nga kanceri kolorektal

Shëndetësi
Kalo në kategori