LAJMI I FUNDIT:

Seminari mbi Ballkanin Perëndimor: Haki Abazi e Zharko Obradoviq përplasen rreth flamurit të Kosovës

Seminari mbi Ballkanin Perëndimor: Haki Abazi e Zharko Obradoviq përplasen rreth flamurit të Kosovës

E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa i takon Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë dialogun pasi është qenësor për aspiratën evropiane të të dyja vendeve.

Kështu u tha në seminarin virtual mbi Ballkanin Perëndimor me temën “Ballkani Perëndimor: midis multi-polaritetit dhe procesit të integrimit evropian”, organizuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Piero Fassino, ku pati përplasje mes Haki Abazit dhe përfaqësuesit serb Zharko Obradoviq rreth flamurit të Kosovës.


Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Piero Fassino tha se falë ndërmjetësimit të BE-së Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre.

Ai po ashtu tha se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e hapësirës evropiane të furnizimit me vaksina për të tejkaluar pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID-19 dhe, programeve evropiane për ekonominë e gjelbër, digjitalizimin, kërkimin dhe inovacionin.

“Duke iu falënderuar integrimit në Evropë, Serbia sot mund të lidhet me Evropën, duke shëruar plagët e vitit 1999. Duke iu falënderuar integrimit evropian, Shkupi dhe Athina i dhanë fund një konflikti i cili zgjati për 30 vjet. Dhe, besoj se në të njëjtin drejtim, falë BE-së, ndërmjetësimi Prishtinë-Beograd do të arrijë të normalizojë marrëdhëniet mes tyre… Ne duhet të përshpejtojmë procesin e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, me një hartë që parashikon rifillimin e negociatave të filluara mes Malit të Zi dhe Serbisë, thirrja e konferencave ndërqeveritare për fillimin e tyre me Shqipërinë dhe Malin e Zi, njohja e statusit të kandidatit për Bosnjë-Hercegovinën dhe sinjali i një perspektive për Kosovën”, tha ai.

Presidenti i Parlamentit Evropian, David-Maria Sassoli tha se e ardhmja e qytetarëve të regjionit të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, zgjerimi i BE-së për vendet e këtij regjioni, është çështje e pajtimit të historisë dhe gjeografisë së Evropës.

“Parlamenti Evropian është përkrahës aktiv i zgjerimit të Bashkimit Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, nga Sarajeva, e deri te Podgorica, Prishtina, e Beogradi. E ardhmja e qytetarëve të këtij regjioni është brenda Bashkimit Evropian… Zgjerimi i Bashkimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, para se gjithash është çështje e pajtimit të historisë dhe gjeografisë së Evropës, dhe ky zgjerim është në interesin tonë strategjik. Kontinenti në paqe, stabilitet, dhe prosperitet është përparësi për të gjithë qytetarët e Evropës”, tha ai.

Komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për integrimin evropian.

Duke shprehur gatishmërinë për të punuar me përfaqësuesit e sapo-zgjedhur të institucioneve të Kosovës, ai tha se nevojitet parashikueshmëri dhe stabilitet më i madh politik në mënyrë që Kosova të përshpejtojë procesin reformues, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

“Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia ta shfrytëzojnë mundësinë për të shënuar progres në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, e që është me rëndësi qenësore për aspiratën evropiane. Po ashtu, dua të potencoj rëndësinë e liberalizimit të vizave. Komisioni qëndron parapa asaj se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, mirëpo vendimi është akoma pezull në Këshill. Ne inkurajojmë Kosovën që të ndërtojë besim në shtetet e BE-së, po ashtu nëpërmjet kanale bilaterale. Të gjitha këto që i përmenda janë për ta përshpejtuar procesin e integrimit në BE”, tha komisionari Varhelyi.

Ai tha se janë angazhuar shumë për sigurimin e vaksinës anti-COVID, ku kanë siguruar 651 mijë doza të vaksinës Pfizer për vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë muajve në vijim. E siç tha ai, krejt këto doza janë shtesë për dozat e vaksinës Covax.

Ndërkaq përfaqësuesi i Serbisë, deputeti Zharko Obradoviq, në fillim të fjalës së tij u shpreh kundër pranisë së flamurit shtetëror pranë përfaqësuesit të Kosovës, Haki Abazit.

“Fillimisht dua të shpreh kundërshtimin tim ndaj faktit që përfaqësuesi i Kosovës, ka flamurin si simbol shtetëror para tij”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Kosovës, Haki Abazi iu përgjigj përfaqësuesit serb, duke thënë se pikëpamjet e Serbisë nuk po zbehen asnjëherë, teksa shtoi se kësaj të fundit po i hapen mundësitë vazhdimisht. Ai kërkoi nga BE që të jetë i bashkuar kur bëhet fjalë për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Siç e pamë nga shprehja e kolegut tim nga Serbia, pikëpamjet e së kaluarës nuk shuhen në Serbi. Procesi i integrimit për Kosovën nga dialogu me Serbinë është i patjetërsueshëm, sepse është gjithmonë në duart e Serbisë sabotimi dhe prolongimi i Kosovës, kurse në anën tjetër kapitujt për Serbinë kanë filluar të hapen. Sinqerisht, ne duhet të shpaketojmë perspektivat e BE-së për Kosovën në një strategji dhe metodologji konkrete në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë besim të bazuar në fakte… Jemi i vetmi vend me 1.8 milionë banorë që nuk ka mundësi të lëvizjes pa viza. BE duhet të shfaqë unitet dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Abazi tha se integrimi evropian i Kosovës është prioritet sidomos pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, pasi Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike./kp/Telegrafi/