LAJMI I FUNDIT:

Sekreti interesant i një zonje të vjetër për një martesë të lumtur

Sekreti interesant i një zonje të vjetër për një martesë të lumtur

Sipas disa statistikave, thuhet se një përqindje e lartë e martesave përfundojnë me divorc, një përqindje tjetër jetojnë një martesë pa lumturi, ndërsa vetëm një përqindje e vogël bëjnë një jetë të lumtur martesore

Por, si mund të arrijë një çift të jetoj një jetë të lumtur dhe pa probleme?


Për ta mësuar këtë, Telegrafi e sjell historinë e një të moshuare, e cila ka bërë bujë në media.

“Na ishte një herë një plak dhe gruaja e tij që kishin bërë një jetë të mrekullueshme, të gjatë e të lumtur së bashku.

Ata i kishin ndarë me njëri-tjetrin tërë eksperiencat dhe sekretet, mirëpo gjithmonë kishte një gjë që gruaja e plakut i kishte kërkuar atij të mos e bënte asnjëherë: të mos e hapte kutinë e vjetër të këpucëve që e mbante në dollapin e saj!

Mashkulli asnjëherë nuk kishte pyetur se çfarë kishte në atë kuti. Ai gjithmonë mendonte se është diçka intime, femërore..

Një ditë, gruaja e tij u sëmur. Së shpejti shëndeti i saj u keqësua shumë dhe ajo i kishte kërkuar t’ia sillte kutinë në spital, pasi që, siç kishte thënë ajo, është koha t’ia tregoj sekretin.

Plaku kishte shkuar në shtëpi, e kishte gjetur kutinë dhe e kishte hapur. Brenda kishte gjetur dy kukulla të thurura dhe një grumbull të madh parash… Ishin rreth 95,000 dollarë aty.

Por, si? Pse? Kishte vështirësi të qetësohej, ishte tronditur nga shuma e madhe e parave.

‘Para se të martohemi, gjyshja më kishte treguar sekretin e një martese të lumtur. Duhet t’i përmbahesh vetëm një rregulle: asnjëherë mos u fjalos me partnerin. Ajo gjithashtu më kishte thënë se çdo herë që ti më zemëron, unë duhet të ulem dhe të thurë një kukull’, i ishte drejtuar plaka burrit të saj.

Plaku ishte prekur nga këto fjalë, pasi që kishin qenë vetëm dy kukulla të thura në kuti. Gjatë 50 viteve së bashku, dukej që ai e kishte nervozuar gruan e tij vetëm dy herë. Ai e kishte përqafuar gruan e tij të sëmurë dhe e kishte puthur.

‘Por, paratë si i mblodhe?’, e kishte pyetur ai me kureshtje.

‘Oh.. paratë.. Ato i kam fituar nga shitja e kukullave’”, kishte thënë ajo me një buzëqeshje.  /Telegrafi/