LAJMI I FUNDIT:

Sekreti i fundit i Van Gogh-ut

Sekreti i fundit i Van Gogh-ut
Vincent Van Gogh

Edhe pse 130 vite larg nga vdekja e tij, piktori i madh holandez ende befason. Në Auvers-sur-Oise, siç shkruan “Le Parisien”, një nga specialistët më të mëdhenj botërorë të Vincent Van Gogh-ut, Wouter Van der Veen, ka zbuluar vendin ekzakt që frymëzoi veprën e tij të fundit piktorike “Rrënjët” (“Racines d’arbres”). Një zbulim ky hedh dritë edhe mbi orët e fundit të jetës së artistit, që e vrau veten më 29 korrik të vitit 1890.

“Dhoma e gjumit” e van Goghut
Lexo po ashtu “Dhoma e gjumit” e van Goghut

Lajmi është zbuluar në Institutin Van Gogh të Amsterdamit, në kuadër të përvjetorit të vdekjes së tij. Siç ndodh shpesh, zbulimi erdhi si pasojë e një sërë situatash rastësore të njëpasnjëshme. Gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit, drejtorit të Institutit të Van Gogh iu desh të qëndronte i mbyllur në shtëpi.

“Në ato rrethana nisa të vendos pak rregull. Disa muaj më parë kisha skanerizuar disa kartolina të vjetra të viteve 1900-1910, të cilat i përkisnin një zonje të vjetër të Auvers-it. Në ekran u shfaq njëra prej tyre, me një çiklist që kishte ndaluar në anën e një shtegu, që sot quhet rruga ‘Daubigny’. Ajo që tërhoqi vëmendjen time ishte një pemë me rrënjët e saj të dallueshme, që më bënin të mendoja se diku i kisha hasur. Se ai imazh për mua ishte i njohur”, ka thënë Wouter Van der Veen.

Për dy ditë, eksperti e ka zmadhuar atë shkrepje në të gjithë mënyrat, duke e krahasuar me pikturën e Van Gogh-ut. Pas kësaj, ai shkoi ta shikojë nga afër vendin.

“Edhe mua vetë më dukej disi e pabesueshme. Por, më tej, duke avancuar me kërkimet, kuptova se çdo gjë po përputhej”.

Dhe, në fakt, ato rrënjë të pikturuara nga Van Gogh-u ishin ende atje, në atë vend magjik të Auvers-it. Ndonëse sot qëndrojnë të mbrojtura përmes një rrjete, do t’i zbulohen së shpejti publikut dhe do të bëhen pjesë e itinerareve turistike të qytetit.

Por, për Van de Veen-in, zbulimi përbën dhe një dëshmi të jashtëzakonshme rreth jetës së piktorit.

“Ajo pikturë është realizuar nga Van Gogh-u po të njëjtën ditë që Van Gogh-u u nda nga kjo jetë. Ai e kishte zakonin që të punonte pranë Hostel Ravoux-it, ku kishte marrë edhe një dhomë. Mund të mendohet se kishte nisur të punojë pa asnjë motiv specifik, me qetësi. Punën e kishte nisur në mëngjes dhe pastaj e kishte rifilluar më vonë. Kjo mund të thuhet pasi drita që ndriçon rrënjët është ajo e një pasditeje të vonë”.

Pra, Van Gogh-u është rikthyer në pensionin e tij për të lënë pikturën dhe pastaj ka dalë sërish. Bazuar në intuitën e tij dhe të dhënat që ka mbledhur, eksperti thotë: “Vetëvrasja e tij, pikërisht gjatë kësaj kohe, midis orës 19 dhe 21, tregon sipas mendimit tim gjendjen e kthjellët në të cilën gjendej në momentet kur vendosi t’i jepte fund jetës. Një situatë shumë e largët nga imazhi i një njeriu të dehur, që ka rënë pre e një krize çmendurie”. /Panorama/