LAJMI I FUNDIT:

Sekretarja amerikane e Thesarit: Bitcoin nuk është efikas për pagesa dhe i rrezikshëm për publikun

Sekretarja amerikane e Thesarit: Bitcoin nuk është efikas për pagesa dhe i rrezikshëm për publikun

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen ka lëshuar ​​një paralajmërim në lidhje me rreziqet që paraqet Bitcoin për investitorët dhe për publikun.

Sipas Yellen, mbetet pikëpyetje në lidhje me legjitimitetin dhe stabilitetin e kriptovalutës.


“Unë nuk mendoj se Bitcoin përdoret gjerësisht si një mekanizëm për transaksione. Në masën që përdoret, kam frikë se është shpesh për financa të paligjshme. Është një mënyrë jashtëzakonisht jo-efikase për të kryer transaksione dhe sasia e energjisë që konsumohet gjatë përpunimit të atyre transaksioneve është marramendëse”, tha Yellen për CNBC, përcjell Telegrafi.

“Bitcoin është shumë spekulativ dhe unë mendoj se njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të jetë jashtëzakonisht i paqëndrueshëm dhe shqetësohem për humbjet e mundshme që investitorët mund të pësojnë”, shtoi ajo.

Sipas CoinMarketCap, përcjell Telegrafi, aktualisht Bitcoin po tregtohet me 49 mijë dollarë.

Të dhënat tregojnë, se Bitcoin brenda një jave kishte rënie prej 1 për qind, ndërsa brenda 24-orëve u vlerësua me mbi 2 për qind.

Gjatë të shtunës së kaluar, kriptovaluta arriti rekordin prej 58 mijë dollarëve.

Ditë më parë, Tesla kishte blerë 1.5 miliard dollarë në vlerë të Bitcoinit dhe tha se së shpejti do të pranonte pagesa në këtë monedhë.

Aktualisht vlera e tregut të kriptovalutave është 1.5 trilion dollarë, ndërsa Bitcoin përbën mbi 60 për qind të tregut. /Telegrafi/