Nëse ndodh ndryshe, ai tha se do të rishikonte qëndrimin e tij rreth kësaj vizite. "Kam pranuar ftesën për vizitë zyrtare të Maqedonisë. E përsëris edhe një herë, për vizitë zyrtare me gjithë cilësinë që duhet të këtë një vizitë zyrtare. Prandaj, protokollet e njërit vend dhe tjetrit janë duke punuar dhe dua të besoj se vizita do të realizohet në këtë cilësi. Çdo qasje tjetër që mund të ketë dhe mund të iluzionojë dikush, absolutisht do të jetë jashtë asaj që ne e kemi në objektiv".

Presidenti Sejdiu përsëriti se është i gatshëm dhe i angazhuar për të pasur raporte më të mira ndërshtetërore me Republikën e Maqedonisë dhe vendet e tjera të rajonit, duke thënë se "ato raporte ndërtohen, ushqehen në kontribut dhe në mirëkuptim reciprok".

"Ne jemi në ecje të komunikimeve të drejtpërdrejta të protokollit të shtetit të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe unë ftesën e kam pranuar si vizitë zyrtare. Unë kam qëndrimin shumë të qartë. Çdo lëvizje nga ajo do të më shtynte të rishikoj qëndrimin tim", nënvizoi Sejdiu. /QiK/

(S’)do të ketë ceremoni solemne në Shkup


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu nesër do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Shkup, i ftuar nga homologu i tij maqedonas Gjorgje Ivanov. Njoftimet e fundit nga kabineti i presidentit Ivanov bëjnë të ditur se takimi mes tyre do të realizohet në Shkup, në vilën presidenciale “Vodno”, dhe jo siç ishte planifikuar më parë në vilën presidenciale “Biljana” në Ohër.

Përfaqësues të presidencës kanë njoftuar për agjencinë e lajmeve INA se, “edhe pse ishte paralajmëruar takimi në Ohër - ku kjo vizitë do të konsiderohej në cilësinë private dhe pa protokoll të një ceremonie zyrtare – Ivanov e Sejdiu do të takohen në Shkup.

Megjithatë, sipas RTK-së, Kabineti i Ivanovit nuk ka paraparë të organizojë ndonjë ceremoni solemne zyrtare. Madje, sipas këtij mediumi, mund të ndodhë që edhe flamuri i Kosovës të mos vendoset para ndërtesës së presidencës, krahas flamurit te Maqedonisë.

“Në këtë takim të parë të dy presidentët do të japin sinjale inkurajimi dhe do të demonstrojnë raporte të mira mes dy vendeve, por nuk mund të vendosin për datën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, pasi ajo është çështje teknike, për të cilën presidentët nuk kanë kompetenca”, ka njoftuar ndërkaq Kabineti i kryetarit te Maqedonisë.

Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i pyetur nga RTK, nuk mundi të jepte një datë se kur do të vendosen marrëdhëniet diplomatike me Kosovën. “Nuk ka diçka te re në ketë drejtim. Kur do të kemi do të ju njoftojmë.... Do të vendosen edhe ato një ditë”, ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski.

Presidenti Sejdiu ndërkaq, siç transmeton RTV Dukagjini, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, mirëpo ka theksuar se, ndryshimi i cilësisë së kësaj vizite do ta detyronte që ta rishikojë vendimin për ta vizituar vendin fqinj.

“Kam pranuar ftesën për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, edhe një herë e përsëris për vizitë zyrtare, me gjithë cilësitë që duhet të ketë një vizitë zyrtare - prandaj protokollet e njërit dhe vendit tjetër janë duke punuar. Dua të besoj se vizita do të realizohet në këtë cilësi. Kam qëndrimin shumë të qartë, çdo lëvizje nga ajo më shtyn apo të jap apo ta rishikoj qëndrimin tim”, ka thënë presidenti.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu do të takohet edhe me kryeministrin Nikolla Gruevski, kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanovski dhe përfaqësues të partive politike shqiptare. /ina/rtk/telegrafi/ 

Sejdiu vetëm vizitë private në Maqedoni?!

Presidenca e Maqedonisë ka ndryshuar agjendën e pritjes së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke e pritur atë në vilën private presidenciale “Biljana” në Ohër dhe jo në Shkup.

Lajmi është konfirmuar edhe për agjencinë e lajmeve INA nga Kabineti i presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, ku siç thuhet - vizita e së enjtes e presidentit Sejdiu nuk do të zhvillohet në Shkup, por në vilën private presidenciale në Ohër - ku kjo vizitë konsiderohet vetëm në cilësinë private dhe pa protokoll të një ceremonie zyrtare të dy presidentëve.

Arsyeja e Kabinetit të Presidencës në Shkup ka qenë se presidenti Ivanov do të jetë i pranishëm në Ohër më 28 maj, në Forumin e Biznesit Maqedoni-Turqi, që po mbahet sot dhe nesër në këtë qytet.

Mediat shqiptare në Shkup kanë kritikuar sërish veprimin e autoriteteve të Shkupit, siç nënvizohet për injorimin e presidentit të shtetit të ri fqinj.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ishte një nga homologët e vetëm të rajonit që nuk ishte ftuar në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. /INA/