LAJMI I FUNDIT:

Së shpejti konkursi për kryetarin e ri të Gjykatës së Apelit

Së shpejti konkursi për kryetarin e ri të Gjykatës së Apelit

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj muaj më parë ka dhënë dorëheqje nga posti të cilin e mbante pasi që akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, një rast ku thuhet se kishte shfrytëzuar autoritetin e tij për të ndërhyrë në një proces me fajde.

Mekaj ka qenë i suspenduar nga pozita e kryetarit të Apelit që në momentin kur kanë nisur hetimet ndaj tij.


E tash e një vit Gjykata e Apelit ka mbetur me ushtrues detyre, ku në këtë pozitë është emëruar Tonka Berishaj, më 27 korrik 2015.

Ndërkaq ndonëse kanë thënë se së shpejti, ende nuk është vendosur se kur të shpallet konkursi për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj gjykate.

Aishe Qorraj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë për Telegrafin se shumë shpejt do të shpallet konkursi.

“Konkursi për tërë kryetarët dhe mbikëqyrësit do të dalë shumë shpejt sepse më 31 dhjetor 2016 u kalon mandati, dhe pritet në mbledhjen e radhës të aprovohet”, ka thënë Qorraj.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me Tonka Berishaj e cila aktualisht mbanë pozitën e u.d e kryetares së Gjykatës së Apelit, për të pyetur se a do të kandidojë për kryetare të kësaj gjykate në rast të hapjes së konkursit.

“Kur të hapet konkursi atëherë do të bisedojmë”, ka qenë përgjigjja e saj e shkurt.

Procesi gjyqësor ndaj Sali Mekajt ka nisur ditë më parë, derisa gjyqtari Shasivar Hoti, me një vendim, një ndër të parët e llojit të tillë, e mbylli për publikun krejt procesin gjyqësor ndaj tij, ende pa nisur. /Telegrafi/