Pagëzime në Prishtinë pas ceremonisë së ndaluar në Zagorë, Gjergji: Nuk duam të përplasemi me vëllezërit tanë

Disa qytetarë nga Vushtrria janë pagëzuar sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, një ditë pas ceremonisë së bekimit të gurthemelit të kishës së re në Zagorë të Vushtrrisë.
Ceremonia e bekimit të gurthemelit të kishës në Zagorë ishte paraparë të mbahej më 18 gusht, por sipas Dioqezës Prizren-Prishtinë, ishte ndaluar nga një vendim i Policisë së Kosovës.
Dioqeza e kishte cilësuar vendimin si “jokushtetues, joligjor dhe të pajustifikuar”.
Për të shmangur tensionet, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga disa meshtarë dhe besimtarë, e kishte realizuar bekimin e gurthemelit më 17 gusht.
Për këtë, gjatë ceremonisë së pagëzimit, Ipeshkvi i Kosovës, tha se Kisha nuk dëshiron të komentojë duke theksuar se besimtarët duhet t’i përgjigjen situatave me paqe, dashuri dhe urti.
“Nuk duam të komentojmë ngjarjen e djeshme ose atë çfarë ndodhi edhe sot, sepse kemi kohë boll. Nuk kemi nevojë të merremi sot me atë punë, sepse ne ndjekim të bekuar themelin e kishës me tullat që kemi dashtë me beku sot. Por, duke dashtë me respektu edhe shtetin tonë, me kundërshtu pushtetin që na ndalon, dhe mos me u përplasë me vëllezërit tanë, ne jemi bijtë e paqes, bijtë e dashurisë, bijtë më të mirë të këtij vendi. Dhe duhet ta përçojmë atë dashuri, atë kujdes e atë urti që e ruan njeriun tonë, vendin tonë, po dhe që bëjmë t'i gurët që e ndërtojnë të ardhmen. E ardhmja ndërtohet me dashuri. E ardhmja ndërtohet me durim. E ardhmja ndërtohet me urti. E ardhmja ndërtohet pa e heq dorë nga ajo që jemi, e pa e ndalë udhën tonë ku dojna me shkue, ku secili njeri në këtë vendin tonë të mundet të zgjedhë ose të përzgjedhë fenë e vet, pa kundërshtuar askush. Sepse kjo është liri. E fryti i lirisë është kur njeriu bën zgjedhjen e vet. E guximi është kur njeriu ta bëjë zgjedhjen e vet e na ta përqafojmë”, tha Gjergji.
Në fjalimin e tij, Gjergji ka folur edhe për rëndësinë e paqes dhe bashkëjetesës ndërfetare, duke thënë se urrejtja nuk duhet t’i përgjigjet urrejtjes.
“Sepse urrejtja nuk na takon neve. Na kanë thënë këto ditë që na urrejtjes do t'i përgjigjemi me urrejtje. Jo! Ne nuk do të bëjmë si të tjerët, ne jemi ndryshe”, tha ai.
Sipas tij, shqiptarët e besimeve të ndryshme kanë bashkëjetuar ndër shekuj dhe kjo, siç tha ai, duhet të shërbejë si shembull edhe për të ardhmen.
“Kombin nuk e kemi vetëm për vete. Ju takon edhe vëllezërve tanë të islamizuar. Ata janë në shtëpinë e tuaj, ju jetoni me ta në përgatitjet e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur kur janë konvertuar në Islam. Vëllezërit duke e pasur këtë shoqëri mes vete. E kanë ruajtur. Njëri musliman, tjetri katolik, duke e ecur përpara për të shpëtuar rrethanat historike e për të mundur me dëshmuar të vërtetën e sotme. E për t'i dhënë liri secilit që të përzgjedhë atë që do me jetuar edhe atë që do me besuar”, ka deklaruar Ipeshkvi Gjergji.
Ceremonia e sotme është mbajtur në ditën e festës së Shën Florit dhe Laurit, të cilët, sipas traditës së krishterë, kanë qenë martirë të hershëm të krishterimit në Ulpianë. /kp/





































