LAJMI I FUNDIT:

“S’du me t’pa, du me t’ndie”

“S’du me t’pa, du me t’ndie”

Rok-opera e grupit The Who përmban një këngë me titullin “Më shiko, më ndiejë”, që ndërlidhet me personazhin Tomi, që është i shurdhët, i verbër dhe memec, jeta e të cilit varet nga prekja dhe nga imagjinata. Por, problemi i tij është psikosomatik dhe i mbetet vetëm atij ta thyejë bllokimin e vet mendor.

“S’du me t’pa, du me t’ndie” është titulli i ekspozitës së fundit të mjeshtrit të fotografisë, Fahredin Spahija. Nuk e ndërlidha ekspozitën me titullin e një kënge sepse, në perceptim të parë, mesazhet janë të ndryshme. As pse Spahija është adhurues dhe njohës i muzikës. Porse, si te Tomi, jeta është ndjesi; është edhe arti që merr jetë nga shpirti i artistit. Është ndjesia që artisti e bart te ne; është ndjesia që shikuesi e reflekton. Për të dyja palët vlen thënia e piktorit Paul Klee: “Njëri sy sheh, tjetri ndjen”. Dhe, “S’du me t’pa, du me t’ndie” e pasqyron këtë mendim.


Ekspozita e Spahisë përbëhet nga veprat e realizuara përgjatë 20 vjetëve të fundit. Një përzgjedhje e vështirë, por e veçantë kur kemi parasysh opusin e tij krijues dhe faktin se sa vëzhgues dhe kërkues është autori, çdo ditë dhe në çdo situatë – qoftë nëse pamja varet nga të tjerët, nga rrethanat apo nga vetë ai.

Më parë kam shkruar se Spahija e kërkon njerëzoren. Ata që e kanë parë me fotoaparat në dorë mund ta njohin heshtjen e tij gjatë kërkimit. Rri i tërhequr, nuk flet e aq më pak njofton për prezencën apo kërkon vëmendje. Zë vend si një snajperist që nuk lëviz derisa detyra e tij mbaron. Përderisa me snajperistin përfundon një rrëfim, me momentin që kap ai lind një rrëfim tjetër.

Pra, në këtë ekspozitë kemi përzgjedhje tematike të disa veprave, nga një përzgjedhje prej mijëra e mijëra shkrepjeve. Sepse, siç e thash, Spahija është kërkues dhe synon kapjen e një momenti të veçantë që pasqyron një gjendje. Apo, më mirë të them: poetikën. Për këtë arsye, kjo ekspozitë është e veçantë sepse, si rrallë ndonjë tjetër në mesin tonë, mund të cilësohet edhe si ekspozitë e fotopoezisë.

Arti vizual megjithatë është i drejtpërdrejtë. Para vetes shikuesi e ka tablonë e plotë. Nuk ka faqe as kapituj aty. Por, fotografitë e Spahisë shpeshherë më ngjajnë me kolazhe. Në pjesë të caktuara të tablosë sheh një tjetër imazh; një dromcë të gjendjes apo të rrëfimit; vargje të caktuara. Por, si mjeshtër i kompozicionit që është, çdo tablo e plotë e kësaj ekspozite të shtyn ta plotësosh interpretimin tënd nëse veprës ia ngulit sytë për një kohë të gjatë apo nëse e sheh në kënde apo në distanca të ndryshme. Ta vëresh palimpsestin, për të reflektuar.

Si pionier i artit fotografik digjital shqiptar dhe si një prej historianëve të paktë të fotografisë që kemi, Spahija i mbetet besnik formave tradicionale të realizimit të artit fotografik. Veprat e tij në zhanret e nudos, portreteve, peizazheve, fotografive të rrugës, fotografive dokumentare … fiksojnë momentin që, në sy të shikuesit, shndërrohet në fjalë. Të shtyjnë të mendosh. Ta krijosh versionin tënd të rrëfimit. Të një momenti. Kjo edhe për faktin se aty gjithçka është reale, siç duhet të jetë misioni i fotografisë: e vërteta, jo mashtrimi.

Pra, gjithçka që shihni këtu shmanget nga aplikacionet kompjuterike që çdo person sot mund ta bëjnë të njëjtë me tjetrin. Sepse, ndjesia nuk manipulohet. As momenti. As subjekti. Spahija shmang edhe dritën artificiale dhe kushtet e studios. Këtu çdo personazh është unik që përfaqëson sinqeritetin, gjendjen dhe rrëfimin e vet. Kemi të bëjmë me fotografi artistike, në kuptimin klasik të fjalës. Kemi të bëjmë me dritëshkronjë, me dokument, me art dhe me qasje origjinale. Dhe, kjo arrihet përmes dy ngjyrave që, për artistin Astrid Kirchherr, janë më të vështirat: bardh dhe zi. Sepse – siç ka thënë Kirchherr – është më e lehtë të bësh foto të mirë me ngjyra, por dramën e merr vetëm me të bardhën e të zezën. Për artistin tjetër Robert Frank, këto simbolizojnë alternativat e shpresës dhe të dëshpërimit, subjekt i të cilave është përgjithmonë njerëzimi. Ndërkaq, rrallëkush ndër ne di si Spahija t’i përdor si duhet këto dy ngjyra, si ballafaqim mes shpresës dhe dëshpërimit, mes lojës dhe luftës, mes vetes dhe të tjerëve … E, nuancat e këtyre dy ngjyrave, dritëhijet, janë si udhërrëfyes se në cilin drejtim duam ta shohim këtë ballafaqim, Aty sheh vija me të cilat mediumi Tyler Henry do të mund ta zbërthente botën e subjektit. Por, edhe njollat e Rorshahut me të cilat mund t’i kuptojmë emocionet tona.

Pjesa më e madhe e veprave në ekspozitën “S’du me t’pa, du me t’ndie”, janë nudo. Për mendimin tim, ekspozita është homazh për gruan. Aty shohim dhembje, hije, abstraksion, meditim, melankoli, ftohtësi, lotët dhe vuajtjet e njerëzimit. Mund të shohim figurën e Marisë, Qefinin e Torinos, gruan që bartë barrën e botës … Shohim edhe bukurinë; shohim edhe shpresë. Shohim nota muzikore, vargje, kohët që nuk kthehen, fatin tonë apo të tjetrit…

Dikush tjetër nudon mund ta marrë si pasqyrim të trupit të zhveshur. Por, këtu kemi të bëjmë me trup të mbuluar me petkun e artit. Ky art ka frymëzuar njerëzit gjatë tërë historisë. Që nga Venera e Tan-Tanit që është forma më e vjetër e njohur e prezantimit të trupit njerëzor, duke shkëlqyer pastaj në artin klasik dhe të Renesancës, e për të vazhduar deri në ditët e sotme. Por, ka të bëjë edhe me të bardhën e të zezën – me lindjen dhe me vdekjen, edhe si ballafaqim, edhe si moment i barazisë njerëzore.

“Lakuriq dola nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem”. Ky varg mund të lexohet në Librin e Jobit. Disa e interpretojnë si dëshmi të devotshmërisë hyjnore, të tjerët si simbol të varfërisë së njeriut. Por, aty është e vërteta. Statusi nuk ka rëndësi te nudot. As biografia. As pasuria. Aty nuk ka grim; nuk ka glamur. Nuk ka skenografi as rekuizita të shtrenjta. Dhe, këto fakte tregojnë se sa vështirë është të bësh art, vepër origjinale si Spahija, me kaq pak “materiale” para vetes. Por, siç ka thënë Platoni: “Bukuria e stilit dhe harmonisë, hiri dhe ritmi i mirë varen nga thjeshtësia”.

Thjeshtësia është kulmi i artit. Ndaj, nuk më interesojnë teknikat që Spahija i ka përdorur gjatë realizimit të këtyre veprave. Për mua ato nuk kanë fare rëndësi. Kryesorja është ajo që ceka në fillim: ndjesia. Dhe, një tendencë për të lexuar me pak fjalë artin e kësaj ekspozite. Poetikën.

Për El Grecon, gjuha e artit është me origjinë qiellore dhe mund të kuptohet vetëm nga të zgjedhurit. Pra, nga artistët. Sidoqoftë, është gjuhë universale që mund ta kuptojnë njerëzit anembanë botës, cilësdo kulture që i takojnë. Por, pakkush mund ta flasë si duhet. Pakkush edhe mund ta lexojë si duhet. E, nëse për veprën dramatike thuhet se nuk është e përfunduar, se përfundimin ia jep regjisori, e njëjta vlen për çdo vepër të mirë arti. Regjisori polak Krzysztof Kieslowski nuk i përfundonte filmat e vet. Si përfundim e pranonte çdo version që publiku jepte. Sepse, artistët e mirë shtrojnë pyetje, por nuk japin përgjigje. Përgjigjet varen nga shikuesi. Varen nga secili prej nesh që i shohim këto foto të Fahredin Spahisë, në ekspozitë apo në katalog.

“Zgjidhe një përfundim”, ka thënë Kieslowski. Ndieni dhe jepeni një mendim; zgjidheni edhe ju një përfundim, siç bëra unë.

Fjala e mbajtur në hapjen e ekspozitës “S’du me t’pa, du me t’ndie” e artistit të fotografisë Fahredin Spahija, më 8 shtator 2022 në Galerine Arteve në Ferizaj.