LAJMI I FUNDIT:

SBASHK kundërshton Projektligjin për paga

SBASHK kundërshton Projektligjin për paga

Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) u takua me ministrin e Administratës Publike, Mahir Jagcilar, për të shprehur kundërshtimet e tyre lidhur me projektligjin për paga.

Sipas njoftimit të SBASHK-ut, pasi që janë takuar me ministrin Bytyqi dhe i kanë shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin lidhur me Projektligjin për pagat dhe radhitjen tepër të ulët (të mësimdhënësve) në tabelën e e rangimit, delegacioni i SBASHK-ut është takuar në pasditen e së hënës me ministrin Jagcilar dhe anëtarët e kabinetit të tij.


“Delegacioni i SBASHK-ut edhe në takimin me Ministrin Jagcilar ka përsëritur se SBASHK-u do të bëj gjithë angazhimet që me dialog të përmirësohen lëshimet, duke mos përjashtuar  as edhe një herë edhe  masat dhe veprimet sindikale  nëse pala tjetër nuk reflekton si duhet”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i ka kujtuar ministrit Jagcilar se edhe në kohën e Qeverisë Mustafa, SBASHK-u ka kundërshtuar Projektligjin për paga duke e parë si nënçmues e degradues për të punësuarit në sektorin e arsimit radhitjen tepër të ulët në tabelën e rangimit të profesioneve në bazë të koeficienteve.

Ai ka theksuar se pas reagimit të fuqishëm të SBASHK-ut Projektligji nuk ishte dërguar në Parlament dhe se kishte filluar dialogu për ndryshime meritore dhe se SBASHK në bashkëpunim me MASHT kishte dhënë propozim konkret e të bazuar për rangim meritor të punëtorëve të arsimit.

SBASHK-u ka shprehur kundërshtimin në takim me Ministrin Jagcilar sepse edhe në versionin e tanishëm të Projektligjit për paga, i cili vazhdon të jetë në diskutim publik, punëtorët e arsimit të Kosovës  prapë janë radhitur në pozitë tepër të ulët, gjegjësisht në pozitë jo meritore.

Jasharaj bashkë me menaxherin për financa Ymer Ymeri  duke përcjellë qëndrimin e punëtorëve të arsimit  janë shprehur të bindur se ministri Jagcilar bashkë me Qeverinë e Kosovës  do të marrin parasysh propozimin konkret e të bazuar në argumente të SBASHK-ut lidhur me këtë çështje tepër të ndjeshme  dhe në versionin përfundimtar  ky sektor i rëndësisë së veçantë do të jetë i ranguar në pozitë meritore.

Në të kundërtën ky delegacion edhe në takimin me ministrin Jagcilar ka përsëritur se SBASHK-u do të bëj gjithë angazhimet që me dialog të përmirësohen lëshimet, duke mos përjashtuar as edhe një herë edhe masat dhe veprimet sindikale nëse pala tjetër nuk reflekton si duhet. /Telegrafi/