LAJMI I FUNDIT:

SBASHK: E tmerrshme të ndëshkohen minatorët grevistë të Trepçës

SBASHK: E tmerrshme të ndëshkohen minatorët grevistë të Trepçës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me ndëshkimin e 151 minatorëve nga menaxhmenti i Trepçës, pasi këta të fundit mbajtën grevë për mos daljen e pagave të muajit korrik.

SBASHK në reagim thotë se është e tmerrshme që të ndëshkohen minatorët grevistë të kombinatit Trepça.


“E tmerrshme nëse ndëshkohen materialisht minatorët grevistë. Edhe për kundër shumë angazhimeve të djeshme në SBASHK na ka shqetësuar shumë informacioni se ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Trepça paska marrë vendim skandaloz që të ndëshkojë 151 minatorë pse ata paskan bërë grevë të arsyeshme, sepse u janë vonuar pagat me të cilat ata mbajnë familjet, paga këto që i fitojnë me shumë mund e sakrifica e duke u përballur me të papriturat që vijnë në thellësitë e tokës”, thuhet në reagim.

Sipas SBASHK-ut, e gjithë anëtarësia e sindikatës solidarizohet fuqishëm me minatorët e Trepçës.

Kombinati Trepça ndëshkon 151 punëtorë, Haxhiu: Minatorët nuk do të arrijë t'i nënshtroj as Qeveria 'Zdravo'
Lexo po ashtu Kombinati Trepça ndëshkon 151 punëtorë, Haxhiu: Minatorët nuk do të arrijë t'i nënshtroj as Qeveria 'Zdravo'

“E gjithë anëtarësia e SBASHK-ut solidarizohet fuqishëm me minatorët e gjigantit Trepça dhe i drejtohet zt. Enisit që të mos e vë në jetë këtë ndëshkim. Ai duhet të kujtojë të tashmen, por edhe të kaluarën dhe historinë e ndritshme të minatorëve të Trepçës, që me sakrificë sublime e me grevën madhështore dikur ndihmuan që historia e Kosovës të ndërrojë kahe për të mirë”, vijon SBASHK-u.

Në fund, Sindikata e Arsimit fton ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv që të heq dorë nga kjo ide e ndëshkimit.

“Ftojmë ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Trepça që të heq dorë nga kjo ide e ndëshkimit të padrejtë dhe të angazhohet që minatorët të marrin pagat e plota e me kohë”, përfundon reagimi.

Abdurrahmani ka bërë të ditur se se 151 minatorë kanë bojkotuar punën, pasi kishin mbajtur grevë për mos ekzekutimin e pagave për muajin korrik, ku për këta masa financiare do të jetë 176 euro për një punëtor për katër ditë bojkot.

Kujtojmë se minatorë e Trepçës kishin mbajtur grevë për disa ditë më radhë, pasi kishte pasur vonesa në ekzekutimin e pagave për muajin korrik. /Telegrafi/