Savoviq jep dorëheqje

Trajneri, Boban Savoviq, dha dorëheqje pas humbjes bindëse të pësuar nga bullgarët. Në një mbledhje të klubit të mbajtur të mërkurën mbrëma, dorëheqja e Savoviq u aprovua dhe ai tash e tutje nuk do të drejtojë skuadrën pejane. Dorëheqjen e malazezit, për “Arena”, e konfirmoi kreu i skuadrës ‘verdhezi’, Art Gashi.
“Savoviq ka dhënë dorëheqje, ndërsa pas mbledhjes që mbajtëm me bordin e skuadrës vendosëm që ta pranojmë dorëheqjen e tij. Gjithsesi, duhet të them se ai nuk është përgjegjësi kryesor për mossuksesin e fundit të klubit. Ai erdhi në një kohë shumë të vështirë, teksa u tregua trim duke e pranuar këtë detyrë. Ne e falënderojmë atë për punën që bëri dhe i dëshirojmë suksese”, ka thënë Gashi.
Ky i fundit njoftoi se të enjten (sot) do të dihet emri i trajnerit të ri, teksa një nga ata që mund ta udhëheqin Pejën në ndeshjet e Ipko Kupës së Kosovës është edhe Bujar Loci.
“Ende nuk e dimë emrin e trajnerit të ri, ndërsa pritet të hulumtojmë nesër (sot) për një të tillë”, ka thënë Gashi.
E, ky i fundit njoftoi se nga klubi do të largohet së paku një lojtar i huaj. “Do të jetë trajneri i ri ai i cili do të vendos se cili nga të huajt do të largohet, me gjasa të jenë Mario (Edwards) ose përforcimi i ri, Jones. Sa i përket vendorëve, ne do të vazhdojmë me ata që i kemi dhe nuk do të ketë ndryshime për ndeshjet e kupë”, ka theksuar Gashi. /KP/Telegrafi/




















































