LAJMI I FUNDIT:

Savarin me rrush të tharë

Savarin me rrush të tharë

Fikrie Gagica- Ukelli
Autore e librit “1000 receta për çdo familje”

Përbërësit për brumin:


• 350 gr. miell,
• 1/2 qeskë maja,
• 4 lugë qumësht,
• 50 gr. gjalpë i shkrirë,
• 2 vezë,
• 1 vanilje,
• lëvore portokalli e kaluar në rende,
• 1 majë thike kripë,
• 50 gr. rrush të tharë më parë të ulur në rum.

Për shurupin:

* 150 gr. sheqer,
* 1,5 dcl rum,
* lëngu i një portokallit,
* 3 lugë marmelatë portokalli ose kajsie,
* 2-3 dcl ajkë qumështi,
* disa flegra portokalli për zbukurim.

Në masën e miellit të situr, hidhet maja e ardhur me qumësht të vakët. Shtohen vezët e tundura, sheqeri vanilje, lëvorja e portokallit, kripa, gjalpi. Të gjitha përzihen mirë dhe brumi ngjeshët gjersa të fitohet një brumë i lëmuar. Shtohet rrushi, ngjeshët edhe pak brumi dhe zgjatet në formë salami, pastaj i jepet formë kurore. Brumi i përgatitur vihet në tepsi-kallëp në formë kurore të lyer me yndyrë, me diametër 20 cm. (në mungesë të kallëpit, në mes të tepsisë vihet një gotë e lyer me yndyrë në mënyrë që ta ruaj hapësirën e mesit, e para se të futet në furrë, largohet gota). Skajet bashkohen mirë. E mbuluar me plastmasë, qëndron në vend të vakët 1 orë gjersa të dyfishohet masa e brumit. Kallëpi vihet në tepsi dhe futet në furrë të nxehtë me temperaturë 190 gradë C. Piqet 30 min.
Sheqeri vlon me 3 dcl ujë gjersa të shkrihet, pastaj shtohen lëngu i portokallit, rumi, dhe në zjarr të ulët vlon edhe 10 min. Shtohen disa flegra portokalli dhe vazhdon të vlojë edhe 2-3 min. Savarini i pjekur dhe i ftohur shpohet në disa vende, dhe me lugë i hidhet sherbeti i nxehtë. Pas 40 min. vendoset në pjatë ku do të shërbehet. Marmelata nxehet me 2 lugë ujë dhe me të lyhet ëmbëlsira. Në mes zbukurohet me ajkë të tundur,kurse përreth me flegra portokalli të ziera në sherbet./Telegrafi/