Nga specat me mjaltë te varianti klasik me hudhër dhe majdanoz – katër mënyra të thjeshta për të ruajtur shijen e verës edhe në muajt e ftohtë

Kur nis sezoni i specave, nis edhe përgatitja e turshive për dimër – me receta të thjeshta, pak përbërës dhe shije që prej vitesh kalojnë nga një brez te tjetri.


Këto katër mënyra për përgatitjen e specave bëhen pa konservues dhe secila sjell një shije tjetër: nga variantet më aromatike e klasike, te ato me një nuancë të lehtë ëmbëlsie.

Mjaftojnë speca cilësorë, kavanoza të pastër dhe pak kohë për të ruajtur në kavanoz një copëz të verës – gati për t’u shijuar në muajt e ftohtë, transmeton Telegrafi.

1. Speca me karota, hudhër dhe majdanoz

Për këtë recetë duhen rreth 4 kg speca të kuq, të pastruar nga bishtat dhe farat. Përgatitni edhe 1 kg karota të prera në rrathë, hudhër të prerë hollë dhe majdanoz të grirë.

Shtoni 1 lugë piper kokërr, 100 g kripë, 200 g sheqer dhe 200 ml uthull alkooli 9%.

Përziejini mirë derisa kripa dhe sheqeri të treten. Radhitni specat duke shtuar mes tyre karotë, hudhër dhe majdanoz, më pas hidhni sipër lëngun.

Lërini të qëndrojnë rreth 24 orë, pastaj vendosini në kavanoza të pastër dhe ngjeshini mirë. Kavanozat pasterizohen rreth 30 minuta dhe më pas lihen të ftohen gradualisht në ujë.

2. Speca me mjaltë

Nëse ju pëlqen një shije paksa e ëmbël, ky variant është shumë interesant.

Për lëngun duhen:

  • 3,5 litra ujë
  • 3 lugë gjelle kripë
  • 3 lugë gjelle sheqer
  • disa kokrra piper
  • 1 litër uthull alkooli 9%
  • 200 g mjaltë

Të gjithë përbërësit zihen së bashku. Specat e pastruar futen për pak minuta në lëngun e nxehtë, vetëm derisa të zbuten aq sa të mund të vendosen në kavanoz, pa u shpërbërë.

Vendosini ende të ngrohtë në kavanoza të sterilizuar, hidhni sipër lëngun e zierjes dhe mbyllini menjëherë. Mbulojini me peshqir dhe lërini të ftohen ngadalë.

shutterstock

3. Speca të zier në mënyrën klasike

Për lëngun duhen 3 litra ujë, 1 litër uthull, 500 ml vaj, 250 g sheqer, 250 g kripë dhe piper kokërr.

Për mes shtresave përgatitni majdanoz, karota dhe hudhër.

Kur lëngu të vlojë, futni specat dhe ziejini vetëm rreth 1–1,5 minuta. Duhet të zbuten, por të ruajnë formën.

Vendosini të nxehtë në kavanoza, duke shtuar mes tyre hudhër, karotë dhe majdanoz. Hidhni sipër lëngun e zierjes.

Kavanozat vendosen në një tenxhere të madhe mbi një pecetë kuzhine, mbulohen me ujë dhe pasterizohen rreth 20 minuta pasi uji të marrë valë.

4. Speca të tërë me hudhër dhe majdanoz

Ky variant është praktik sepse specat mbeten të tërë. Shkurtoni vetëm bishtat dhe shpojini me pirun në disa vende.

Për lëngun duhen:

  • 1 litër ujë
  • 250 ml uthull alkooli 9%
  • 200 g sheqer
  • 2 lugë kripë
  • 100 ml vaj

Ngroheni lëngun dhe ziejini specat rreth 3 minuta nga njëra anë dhe 3 minuta nga ana tjetër.

Përgatitni rreth 7 thelpinj hudhre të prerë hollë, majdanoz dhe piper kokërr.

Në fund të kavanozit vendosni pak hudhër, majdanoz dhe piper, pastaj shtoni specat ende të nxehtë. Përsëriteni shtresimin derisa kavanozi të mbushet.

Në fund shtoni edhe pak erëza dhe lërini të ftohen gradualisht.

/Telegrafi/