Sateliti i parë malazez lëshohet me sukses në orbitë

Sateliti i parë malazez "Luča" është lansuar me sukses në orbitën e ulët të Tokës (LEO).
Kështu ka bërë të ditur drejtori i organizatës së Kërkimeve Hapësinore të Malit të Zi (MSR), Filip Joviçeviq, shkruajnë mediat vendase, përcjell Telegrafi.
Mali i Zi, thekson ai, shkroi një kapitull të ri në historinë e tij teknologjike dhe shkencore me këtë akt.
Më parë, u njoftua se sateliti do të lansohet nga një raketë Soyuz, nga Kozmodromi Vostochny, pranë kufirit të Rusisë dhe Kinës.
"Ky sukses historik është rezultat i dëshirës, këmbënguljes, njohurive dhe punës së madhe, por mbi të gjitha i përpjekjes kolektive të njerëzve që besuan se edhe një vend i vogël mund të arrijë ëndrra të mëdha", ka thënë Joviçeviq.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që ishin pjesë e projektit, që nga vetë ideja deri në realizimin e tij.
Ai gjithashtu thotë se lansimi i satelitit nuk është fundi, por fillimi, dhe se Kërkimet Hapësinore të Malit të Zi po kthehen drejt një qëllimi edhe më ambicioz - zhvillimit të raketës së parë malazeze, së pari suborbitale dhe më pas orbitale.
Joviçeviq bëri të ditur se delegacioni i MSR do të kthehet në Mal të Zi më 30 dhjetor, në mbrëmje. /Telegrafi/









































