LAJMI I FUNDIT:

Samiti i BE-së në Tiranë, Policia me masa të larta të sigurisë

Samiti i BE-së në Tiranë, Policia me masa të larta të sigurisë

Sot, më 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet Samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. 

Përveç liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, liderët e BE-së që pritet të vijnë në samit janë Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, Kancerlari i Austrisë, Karl Nehammer, Kryeministri i Belgjikës, Aleksandër De Croo.


Në samit pritet gjithashtu Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin, Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin.

Ndërkaq, Policia e shtetit ka ndërmarr masa të larta sigurie.

Në njoftimin e Policisë thuhet se masa të larta sigurie të marra nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe Agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

“Policia e Shtetit vendos “Perimetrin e  Sigurisë” për garantimin e rendit dhe  sigurisë gjatë zhvillimit të Samitit të BE-së që do mbahet sot në Tiranë.

Masa të larta sigurie të marra nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe Agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Për garantimin e sigurisë së personaliteteve të larta evropiane pjesëmarrëse në të, perimetri i sigurisë do të përfshijë Stadiumin “Air Albania”, Pallatin e Kongreseve dhe godinën e kryeministrisë dhe gjithë zonën përreth.

Sipas planit të masave në këtë zonë do të ndalohet tërësisht lëvizja e automjeteve, si edhe e qytetarëve që nuk janë rezidentë, përveç të punësuarve. Referuar masave, e bllokuar do të jetë rruga e Elbasanit nga kryqëzimi i “7 xhuxhave” në rreth-rrotullimin e Saukut, segmenti i Unazës së Vogël në të dy krahët nga “7 xhuxhat” deri tek kryqëzimi pranë parkut “Rinia”, si edhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e Lanës, deri tek ish-Garda e Republikës.

E bllokuar do të jetë edhe rruga nga ura e këmbësorëve mbi Lanë pranë Katedrales Katolike, deri tek stadiumi “Air Albania” dhe cdo aks që lidh këtë rrugë me rrugën e Elbasanit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për të krijuar një korridor sigurie për shoqërimin e delegacioneve nga Rinasit në Samit, do të jetë tërësisht e bllokuar aksi nga rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re në drejtim të Pallatit me Shigjeta – ish-sheshi Shqiponja”- autostrada Tiranë-Durrës – Kthesa e Kasharit-Rinas.

Ndërkaq, sot, në ditën kur do të mbahet Samiti, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se do të zhvillohet një protestë e fuqishme për t’i treguar liderëve evropianë se opozita është në betejë me kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilëson si armikun e egër të votës së shqiptarëve.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se populli opozitar do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës, në mbrojtje të vlerave evropiane, tmerrësisht të rrezikuara dhe të kërcënuara nga Edi Rama.

“…Populli opozitar do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës, në shenjë proteste, në një protestë të fuqishme, pikërisht në mbrojtje të vlerave evropiane, tmerrësisht të rrezikuara dhe të kërcënuara nga Edi Rama dhe regjimi i tij”, është shprehur Berisha. /Telegrafi/