LAJMI I FUNDIT:

Sami Frashëri, iluministi shqiptar

Sami Frashëri, iluministi shqiptar

Sami e Naim Frashëri, në një letër dërguar mikut të tyre për arritjet në shkrimin e në lëvrimin e gjuhës shqipe, kanë thënë: “Armiqtë e kombit tonë, donin të na gënjenin ç’prej kohe se gjoja gjuha shqipe është një gjuhë e prishur dhe trashamane, se nuk mund të shkruhet, se s’ka gramatikë, se me të nuk mësohen shkencat e tjera. Por, në fund panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj, u hartua gramatika, u shtypën librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja”.

“Sendet më të shtrenjtë në botë”, shkruante Samiu, “janë nderi dhe atdheu. Ata që për dobi personale shkelin dashurinë e atdheut, ata shkelin njëkohësisht edhe nderin e tyre”.


Ishte 1 qershori i vitit 1850 kur erdhi në këtë botë Samiu, në një fshat të vogël në Shqipëri. Frashëri ishte vendi ku lindi.

Fëmijëria e Samiut nuk ishte fare e lehtë. Fati i tij i trisht ishte që mbeti herët pa prindërit, duke mbet jetimë tetë fëmijë: dy vajza dhe gjashtë djem.

Vëllai i madh, Abdyli, ishte ai që u desh të përkujdesej për  fëmijët më të vegjël. Janina në atë kohë ishte kryeqytet vilajeti dhe si e tillë ofronte mundësi më të mira jetese. Kushtet e vështira ekonomike dhe kërkesat e fëmijëve bënë që Abdyli të largohet për në Janinë.

Kështu, Samiut iu dha një mundësi e mirë për të studiuar. Regjistrohet në gjimnazin “Zosimea”. Për shkak që tregoi aftësi të jashtëzakonshme në shumë disiplina, si matematikë, anatomi, gjeografi, kozmografi dhe histori të natyrës, u diplomua para kohe.

Si një mendje gjeniale që ishte, Samiu mësoi frëngjisht, italisht, persisht, arabisht, latinisht, si dhe greqishten e re dhe të vjetrën.

Puna e tij krijuese, me gjithë këto njohuri që posedonte, rrodhi për tri dekada pa u ndalë, duke nxjerr më të mirën nga vetja në dobi të kombit dhe kulturës.

Në Stamboll botoi romanin e tij të parë, atëherë kur Samiu ishte vetëm 22 vjeç. Krijimtaria e tij njeh më shumë se 60 vepra të botuara në gjuhën shqipe, perse dhe turke.

Samiut i dedikohet shkrimi i gramatikës shqipe të cilin e titullon “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, dhe po ashtu njihet edhe si hartues i alfabetit shqiptar.

Vepra më e madhe e shkruar në gjuhën shqipe nga Sami Frashëri është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”? Me këtë vepër Samiu shtroi pikëpamjet e tij në sferën historike, diplomatike dhe politike për një shekull më pas, ngjarje të cilat do karakterizojnë objektivat e tij në libër.

Por, ishte vepra “Kâmûs al-a’lâm” të cilës Samiu i kushtoi 11 vite, e që kur u botua nisi rrugëtimin në të gjitha bibliotekat më të mëdha të asaj kohe.

Samiu kishte një qëllim të vetëm: ngritjen e çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare, për t’u bërë kështu njëri ndër personalitetet më të shquara të kombit shqiptar.

Shkroi shumë artikuj në gjuhë të huaja në të cilat përmendi lashtësinë e popullit shqiptar, sepse fakti që ishte nën zgjedhë të huaj dhe i mjeruar për shekuj e bënte Samiun që ta vuante këtë tragjedi të kombit.

Luftoi obskurantizmin mesjetar të monarkisë absolute dhe ishte në kundërshtim me praktikat dhe ligjet e Perandorisë Osmane të cilat, sipas tij kishin, ngulfatur qyterimin. Sipas tij, bota nuk mund të ishte ashtu siç e shpjegonin librat fetarë, ndaj theksonte se gjithë trupat qiellorë u shtrohen një ligji dhe një rregulli.

Pikëpamjet e Samiut u vlerësuan lart për kohën kur jetoi, sepse këmbëngulte që vetëm nëpërmjet dijes arrihen majat e qytetërimit. Sipas tij, kombi shqiptar – edhe pse i vogël – kishte dhënë shumë për kulturën botërore. Për të, thesarin më të çmuar e sillte përparimi – progresi njerëzor që do ta linte pas errësirën e krijuar prej shekujsh. E, kjo ishte faktike, sepse edhe pse populli shqiptar kishte dhënë shumë, assesi nuk rimëkëmbej nga zgjedha e huaj.

Idetë e Revolucionit Francez kishin nxitur mendimin kritik dhe revolucionar të Samiut. Veprat e Volterit, Dideroit e Zhan Zhak Rusosë kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë botërore, që Samiu i admironte tej mase.

Samiu theksonte vazhdimisht se Perandoria Osmane kishte mbajtur pezull civilizimin që filloi antikiteti, e që – sipas tij – duhej medoemos krijimi i një Shqipërie të re duke lënë anash prapambeturinë që e rrethonte dhe po ashtu krijimi i një Turqie të re me frymë evropiane.

Ishte kundër çdo ndasie fetare të cilat nga armiqtë e kombit stimuloheshin duke humbur identitetin dhe duke u tjetërsuar në kombësi tjetër për shkak të fesë. Samiu luftoi aq shumë problematikat të cilat vinin direkt nga manipulimi përmes fesë, e që ishin çdoherë në dëm të kombit shqiptar. “Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman apo i krishterë”, thoshte ai, duke ngritur kështu idenë e kombit mbi idenë e fesë.

Mbylli sytë në Stamboll më 18 qershor 1904, për ta lënë pas veprën e tij shumë të madhe e cila i dha namin për të mbetur njëri ndër personalitetet më të mëdha shqiptare dhe jo vetëm.