Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, i cili transmetohet çdo të shtunë në ora 17:10 në RTV Dukagjini dhe në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit, i ftuar është drejtori sportiv i Prishtinës së Re, Sami Boroci.

Në një rrëfim të veçantë dhe plot dinamizëm, Boroci tregon për rrugëtimin e tij të pazakontë në futboll: nga fillimet si mbrojtës, kalimi në mesfushë dhe përfundimisht roli si portier — një pozitë që, siç thotë vetë ai, nuk e kishte zgjedhur me dëshirë. Por një ftesë nga Kombëtarja e Kosovës e bëri të qëndrojë mes shtyllave, duke vulosur kështu karrierën e tij si portier.


Boroci gjithashtu ndalet te momenti i paharruar kur Milot Rashica i shënoi dy gola në ndeshjen e tij të fundit, një ngjarje që ai e përshkruan me humor si “përfundimi i karrierës”.

Në episodin e plotë, ai flet edhe për bashkëlojtarët e tij të njohur si Amir Rrahmani dhe Etrit Berisha, përkushtimin e tyre dhe rrugëtimin e përbashkët në futbollin kosovar.

Një pjesë e veçantë i kushtohet edhe historikut të klubit Prishtina e Re — që nisi si Shkëndija e Hajvalisë dhe më pas u transformua në një projekt ambicioz futbollistik.

Boroci sqaron gjithashtu se ku do t’i zhvillojë ndeshjet klubi në edicionin e ardhshëm të Superligës dhe adreson pyetjet për mundësitë e ndonjë problemi ligjor rreth emrit të klubit, duke sqaruar se si do të quhen zyrtarisht në garat elitare.

Episodi me Sami Borocin është prodhim i Telegrafit dhe premton të sjellë një tjetër histori të pasur nga prapaskenat e futbollit kosovar.

Ky podcast nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorëve tanë  KGM Kosova dhe Golden Eagle Energy Drink/Telegrafi/

telegrafi sport app