Rusët xhiruan filmin "Spetsnaz", serialin i cili transmetohet në kanalin e tyre shtetëror. Aty përshkruhet një ditë e ftohtë dimri. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia mësyjnë një kishe serbe, vrasin tre popë serbë, e shpëton vetëm njëri që është rus, madje më i fortë se Rambo. Popi del se është pjesëtar i "Spetsnaz" – forcave të Sigurimit federal të Rusisë.

Aty shprehet ndjenja e gëzimit, ngase të vetëve, serbëve dhe antishqiptarëve, u servojnë skenën: Popi rus fundos "UÇK-në terroriste".


Mediat ruse kohëve të fundit i kanë dhënë konotacion krejt tjetër kësaj, duke e quajtur si përgjigje ndaj filmit të Angelina Jolie për Bosnjën.

Si duket ”vëllai i madh” është infektuar nga “ i vogli” - serbi. Serbët nuk e kanë dert pse sajojnë, ngase edhe “babai” i tyre, Dobrica Qosiqi, gënjeshtrën e merr si art.

Por, kujt ia shfaqin këtë film? Rusëve?! Harrojnë sajuesit e këtij filmi se populli i tyre nuk është naiv t’u besoj dokrrave. Populli rus nuk është i kohës së Leninit, Stalinit dhe stalinëve të tjerë pa mustaqe.

Elita politike ruse është kundër pavarësisë sonë. I bën qejfin Serbisë, si "vëlla i madh". Por, kjo nuk do të thotë se populli rus do të jetë në të njëjtat valë me politikanët.

Sajesa ruse se ushtarët e UÇK-së vrasin edhe pjesëtarët e KFOR-it është një gënjeshtër e pa kripë. Le ta gjejnë një emër të paqeruajtësve të jetë vrarë nga pjesëtarët e UÇK-së! NATO ishte në krah të Kosovës, ajo bombardoi 78 ditë rresht caqet serbe jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi. Andaj, nuk kishte motiv që ushtarët e UÇK-së të shtinë mbi ta.

Gënjeshtrat e këtilla të neveritin, të bëjnë të nxjerrësh zorrë e mushkëri. Duke dashur t'i bëjnë shërbim serbëve, rusët u “ngulën” pikërisht me "vrasjen e ushtarëve të KFOR-it".

Pikësynim i autorëve të filmit është që përmes rrenës të kriminalizoj një ushtri çlirimtare, UÇK-në, e cila mbrojti popullin e vet nga agresioni serb. Këtë e di populli rus, por nuk do ta kuptoj elita politike, e cila edhe në seancat e OKB-së hedh gurë e dru mbi shqiptarët.

Filmi rus, që njollos Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka të bëjë me realitetin në Kosovë. Filmat si ky e kthejnë rrotën e historisë, në kohën e komunizmit. Komunistët i sajonin filmat sipas qejfit të tyre. Kur u duhej, e si u duhej, i nxirrnin skenat e luftës "ndërmjet partizanëve e nazistëve të Hitlerit".

Koha e Hitlerit vajti. Tash rrojmë në shekullin 21. Gënjeshtrat nuk shitën më. Nuk shiten, ngase jetojmë në kohën e kompjuterizimit dhe rrenat dalin për lëndine.

Histeria e një historie dhe shfaqjeje të rrejshme, në radhë të parë është turp për sajuesit e filmit. Ndërsa, krijon imazh të keq edhe për Rusinë.