Sadiku: Vaksina kundër fruthit nuk e shkakton autizmin – është koha të ndalojmë mitet dhe frikën e panevojshme

Në kuadër të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, psikologu Visar Sadiku ka folur për një nga temat më të përhapura në lidhje me vaksinimin e fëmijëve – lidhjen e supozuar midis vaksinës së fruthit dhe zhvillimit të autizmit.
Sipas Sadikut, kjo i ka rrënjët në një studim të diskredituar nga një mjek i cili më pas u përjashtua nga komuniteti shkencor për shkak të mungesës së standardeve profesionale dhe të dhënave të besueshme.
“Fillimisht ky ka qenë një studim i një autori, i një mjeku i cili është diskredituar, një studim i cili ka pas shumë kufizime shkencore dhe të cilat nuk kanë pas mbështetje, relability (besueshmëri). Për shkak të mostrës së vogël, për shkak të rrethanave eksperimentale të pakontrolluara, e të tjera. Pavarësisht që më qindra studime, e dhjetëra studimet të mëdha kanë pasuar pas këtij studimi, i cili sigurisht ka qenë i pavërtetë, përsëri paniku global që është shkaktuar për shkak të tij, e ka bërë të vetën. Fatkeqësisht ne kemi pasur numër të madh të fëmijëve me fruth që prindërit nuk kanë dashur me i imunizu. Dhe disa vështirësi të kësaj natyre si viruset, që si duket filluan të riktheheshin...", tha ai.
Pas këtij studimi, siç tha Sadiku janë realizuar qindra kërkime të mëvonshme dhe dhjetëra studime të mëdha ndërkombëtare, të cilat nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes vaksinës së fruthit (MMR) dhe autizmit.
Megjithatë, sipas tij frika e krijuar ka bërë që shumë prindër të hezitojnë të imunizojnë fëmijët e tyre, çka ka sjellë rikthimin e rasteve të fruthit në disa vende, përfshirë edhe Kosovën.
Ai theksoi se autizmin nuk e shkakton vaksina.
“Tani cka është më e rëndësishme të dihet se pse autizmi shfaqet në disa forma. Fëmiu në një periudhë të jetës, në disa rrethana mundet me fillu me kriju një lloj ndërveprimi dhe komunikimi sipërfaqësor. Që d.m.th mund të referohet si mamë, babë, ama, topi, etj. Mirëpo, ndërveprimi social është i mangët, kontakti me sy është i kufizuar. Atashimi që një fëmijë e krijon për prindin është shumë i zbehtë dhe një sy i trajnuar mirë, e kupton që këto shkathtësi janë për momentin aktuale, mirëpo ato kanë potencial të regretohen dhe potencialisht të ndalohen. Dhe ky proces na ndodh nga mosha 1 deri në 1 vjeçe gjysmë, që do të thotë koincidon që është koha e e afërt kur merret vaksina", u shpreh Sadiku.
Ai i bën thirrje prindërve të mos ndihen fajtorë dhe të mos bien pre e dezinformatave.
“Ky koment që nuk është i vërtetë ka shkaktuar që shumë prej prindërve me qenë me ndjenjë faji, 'pse e kam imunizu fëmijën'...”, ka thënë ndër të tjera Sadiku.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë në Youtube:





















































