Sa e madhe kjo Prishtinë! (Foto)

Kjo padyshim ishte ndeshja më e madhe që është zhvilluar ndonjëherë në kryeqytet, e këtë më së miri e tregon numri jashtëzakonisht i madh i të pranishmëve, pasi që salla ishte e stërmbushur, dhe shumë njerëz kishin mbetur jashtë. Plisat edhe kësaj radhe u përkujdesën që të krijojnë një atmosferë të pashoq gjatë tërë takimit dhe treguan se e meritojnë epitetin e njërës ndër tifozeritë më të organizuar në vend.
Çereku i parë kaloi nën hijen e mysafirëve të cilët luajtën me mençuri dhe i bllokuan depërtimet e Bardhekaltërve, teksa këta të fundit gabuan në pesë tentime për tre pikë. Mysafirët e mbyllën çerekun me shtatë pikë epërsi, 12-19.
Bardhekaltërit vuajtën edhe në çerekun e dytë nga shtatlartësia e kundërshtarëve, të cilët ua pamundësonin depërtimet në zonë, teksa në sulmet e tyre ishin të pakapshëm. Deri në përfundim të pjesës së parë, mysafirët vetëm se e shtuan epërsinë e tyre deri në 17 pikë, 23-40.
Pushimi si duket u bëri mirë basketbollistëve të Sigal Prishtinës, të cilët e nisën furishëm pjesën e dyte me një seri 11-0, dhe me një lojë të shpejtë arritën ta dominojnë kundërshtarin dhe kështu e mbyllën çerekun e tretë me vetëm dy pikë disavantazh, 48-50.
Në çerekun e katërt, Bardhekaltërit e bënë të pamundërën. Për herë të parë gjatë tërë takimit Sigal Prishtina kaloi në epërsi përmes Tay Waller (60-59), dhe pas kësaj më nuk u ndalën. Me mbrojtje tejet të fortë dhe trepikëshat e Waller dhe Kiezas arritën ta kthejnë këtë lojë në anën e tyre dhe ta fitojnë me 9 pikë epërsi, 77-69.
Me këtë fitore, Sigal Prishtina e përmbyll stinorin e rregullt të Ligës Ballkanike me 27 pikë, një më pak se Galil Gilboa në vendin e parë, dhe kështu do të kualifikohet direkt në Final Four. Edhe një herë, kjo skuadër dëshmoi se është krenaria e Kosovës në basketboll dhe i tejkaloi pritjet e veta. /Telegrafi/
| Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
| 1 | A. Waller | 20 pikë |
| 2 | A. Kieza | 20 pikë |
| 3 | B. Mazreku | 14 pikë |
| 4 | D. Berisha | 8 pikë |
| Koshashënuesit më të mirë të Levskit: | ||
| 1 | M. Wilkinson | 17 pikë |
| 2 | B. Heath | 13 pikë |
| 3 | H. Zahariev | 8 pikë |
| 4 | L. Chalmers | 8 pikë |


























































