Sekuestrohen 36 orë dore në Han të Elezit, një shtetas i huaj nën hetim


Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 10 korrik, kur në hyrje të Republikës së Kosovës, në Stacionin Policor Kufitar në Han të Elezit, është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët kanë gjetur të fshehura në bagazh 36 orë dore, të cilat nuk ishin deklaruar.
Mallrat e padeklaruara janë sekuestruar deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj drejtuesit të automjetit është iniciuar procedurë për mosdeklarim të mallrave.
Policia e Kosovës ka theksuar se, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante, do të vazhdojë të ndërmarrë veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në pikat e kalimit kufitar.
































