LAJMI I FUNDIT:

Rubla po rritet dhe Putini është më i fortë se kurrë – sanksionet tona kanë dështuar

Rubla po rritet dhe Putini është më i fortë se kurrë – sanksionet tona kanë dështuar

Nga: Simon Jenkins / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në historinë e fundit ndërkombëtare, sanksionet perëndimore kundër Rusisë janë politikat më së keqi të konceptuara dhe më kundërproduktivet. Ndihma ushtarake për Ukrainën është e justifikuar, por lufta ekonomike është e paefektshme kundër regjimit në Moskë dhe është shkatërrimtare për objektivat e pamenduara. Çmimet botërore të energjisë po rriten, inflacioni po rritet, zinxhirët e furnizimit janë kaotik dhe miliona njerëz po vuajnë për gaz, për drithë dhe për plehra. Megjithatë, barbaria e Vladimir Putinit vetëm se po përshkallëzohet – ashtu si dhe kontrolli mbi njerëzit e vet.


Kritika ndaj sanksioneve perëndimore është gati si anatemë. Analistët e mbrojtjes janë memecë për këtë temë. Janë të heshtura qendrat e mendimit strategjik. Udhëheqësit e supozuar të Britanisë, Liz Truss dhe Rishi Sunak, konkurrojnë me retorika luftarake duke premtuar sanksione gjithnjë e më të ashpra – pa asnjë fjalë që ka ndonjë kuptim. Megjithatë, nëse aludoni skepticizëm për këtë temë, do të kritikoheni si “pro-Putin” dhe anti-Ukrainë. Sanksionet janë britma luftarake e kryqëzatës së Perëndimit.

Realiteti i sanksioneve kundër Rusisë është se ato janë ftesë për hakmarrje. Putini është i lirë ta ngrijë Evropën në këtë dimër. E ka ulur deri në 80 për qind furnizimin nga tubacionet kryesore, si Nord Stream 1. Çmimet botërore të naftës janë rritur dhe është pezulluar fluksi i grurit dhe i produkteve tjera ushqimore nga Evropa Lindore për në Afrikë dhe në Azi.

Faturat e gazit për shtëpi, në Britani, përballen me trefishim brenda një viti. Përfituesi kryesor nuk është askush tjetër përveçse Rusisë, eksportet e energjisë të së cilës në Azi janë rritur, duke e çuar bilancin e saj të pagesave në suficit të paprecedentë. Rubla është një nga monedhat më të forta në botë në këtë vit, duke u forcuar që nga janari me gati 50 për qind. Asetet e Moskës jashtë shtetit janë ngrirë dhe oligarkët e saj i kanë zhvendosur jahtet e veta, por nuk ka asnjë shenjë se Putinit ia ndien. Ai nuk ka ndonjë elektorat që do ta shqetësojë.

Ndërvarësia e ekonomive të botës, e parë prej kohësh si instrument paqeje, është bërë armë lufte. Politikanët rreth tryezës së NATO-s kanë qenë shumë të kujdesshëm në lidhje me përshkallëzimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Ata e kuptojnë parandalimin ushtarak. Megjithatë, duken krejtësisht të pafajshëm për ekonominë. Këtu të gjithë ata e imitojnë Dr. Strangelove-in (personazh filmi që ndërlidhet me shkatërrimin nuklear në Luftën e Ftohtë – v.p.). Duan ta bombardojnë ekonominë e Rusisë “deri në epokën e gurit”.

Do të intrigohesha po të dija nëse ndonjë dokument i është dorëzuar ndonjëherë kabinetit të Boris Johnsonit, që për Britaninë do ta parashikonte rezultatin e mundshëm të sanksioneve ndaj Rusisë. Duket se supozimi ka qenë se nëse embargot tregtare dëmtojnë, ato funksionojnë. Meqenëse nuk vrasin drejtpërsëdrejti njerëz, ato disi janë formë e pranueshme agresioni. Ato bazohen në një supozim neo-perandorak se vendet perëndimore kanë të drejtë ta rregullojnë botën ashtu siç duan. Ato zbatohen, nëse jo përmes kërcënimeve me armë, atëherë përmes muskujve kapitalistë në një ekonomi të globalizuar. Meqenëse ato u imponohen më së shumti shteteve të vogla dhe të dobëta që shpejt dalin prej kryetitujve, qëllimi i tyre ka qenë kryesisht simbolikë “e ndjenjës së mirë”.

Studiuesi i rrallë i kësaj lënde është historiani ekonomik amerikan, Nicholas Mulder, i cili thekson se kanë pasur ndikim minimal – nëse jo kundërproduktiv – më shumë se 30 “luftëra” me sanksione në 50 vjetët e fundit. Ato kanë qëllim që “t’i frikësojnë popujt që t’i frenojnë princat e vet”. Mos asgjë tjetër kanë pasur efekt të kundërt. Nga Kuba në Kore, nga Mianmari në Iran, nga Venezuela në Rusi, regjimet autokratike janë rrënjosur, elitat janë forcuar dhe liritë janë shtypur. Sanksionet duket se rrënjosin stabilitet dhe mbështetje te vetvetja dhe te viktimat e tyre më të dobëta. Pothuajse të gjitha diktaturat më të vjetra në botë kanë përfituar nga sanksionet perëndimore.

Moska nuk është as e vogël dhe as e dobët. Një tjetër vëzhgues, eksperti për Rusinë i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara për Mbrojtjen, Richard Connolly, ka analizuar përgjigjen e Putinit ndaj sanksioneve të vendosura ndaj tij – që nga marrja e Krimesë dhe Donbasit në vitin 2014. Objektivi i tyre ishte ta ndryshonin kursin e Rusisë në ato rajone dhe ta pengonin agresionin e mëtejshëm. Dështimi i tyre vështirë se mund të jetë më i qartë. Apologjetët e justifikojnë këtë për shkakun se embargot ishin shumë të dobëta. Ato aktualet, ndoshta më të vështirat që i janë imponuar ndonjëherë një fuqie të madhe botërore, mund të mos funksionojnë ende, por me sa duket do të funksionojnë me kalimin e kohës. Thuhet se e kanë shtuar kërkesën e Rusisë për mikroçipat dhe pajisjet rezervë të dronëve. Ato së shpejti do ta detyrojnë Putinin që të lutet për paqe.

Nëse Putini lutet, ai do të jetë në fushën e betejës. Në aspektin e brendshëm, Connolly ilustron se si Rusia po “përshtatet dalëngadalë me rrethanat e reja”. Sanksionet e kanë nxitur tregtinë me Kinën, me Iranin dhe me Indinë. Ato u përshtaten “të brendshmëve të lidhur me Putinin dhe me rrethin në pushtet, duke bërë fitime të mëdha nga zëvendësimi i importeve”. Vendndodhjet e McDonald’s-it në të gjithë vendin janë zëvendësuar nga një zinxhir në pronësi ruse i quajtur “Vkusno & tochka” (“E shijshme dhe pikë “). Sigurisht që ekonomia është më e dobët, por Putini është, mos asgjë tjetër, më i fortë teksa sanksionet po krijojnë një sferë të re ekonomike në gjithë Azinë, duke përqafuar një rol gjithnjë e më të zgjeruar për Kinën. A është parashikuar kjo?

Ndërkohë, Perëndimi dhe popujt e tij janë zhytur në recesion. Lidershipi është tronditur dhe pasiguria është përhapur në Britani, në Francë, në Itali dhe në ShBA. Gjermania dhe Hungaria që janë të varura nga gazi, janë shumë pranë valles me melodinë e Putinit. Kostot e jetesës po rriten kudo. Megjithatë, ende askush nuk guxon t’i vë sanksionet në dyshim. Është sakrilegj të pranosh dështimin e tyre ose të konceptosh tërheqjen. Perëndimi është joshur në ironinë e përjetshme të agresionit. Mbase, viktima e saj më e dukshme është agresori. Ndoshta, në fund të fundit, ne duhet të kapemi për luftën. /Telegrafi/