Këto vitet e fundit, pas agresionit rus kundër Ukrainës, ajo që njihet gjerësisht si luftë hibride është kthyer në një sfidë serioze. Lufta hibride që daton tre mijë vjet më parë është zbatuar edhe në të dy luftërat botërore, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe më tej. Por, këto dy vitet e fundit, Rusia e ka kthyer atë në një doktrinë gjithëpërfshirëse strategjike për disa shkaqe, të cilat shpjegohen më poshtë.

Ndonëse për të nuk ka një përkufizim të plotë, lufta hibride synon dëmtimin dhe destabilizimin e një shteti tjetër pa dërguar trupa ushtarake, por nëpërmjet kombinimit të shumë formave dhe mënyrave të diplomacisë publike, kulturore dhe të fshehtë, sulmeve kibernetike, goditjeve shkatërruese të infrastrukturës energjetike dhe digjitale, akteve të sabotazhit, propagandës armiqësore, ndërhyrjeve në proceset zgjedhore, shfrytëzimin e emigrimit të paligjshëm si “armë” ndaj një vend tjetër dhe përdorimin e dronëve për qëllime të ndryshme. Duke vlerësuar efektivitetin e madh të dronëve, javët e fundit sipas njoftimeve, Rusia ka krijuar edhe 59 baza të reja lëshuese me rreze veprimi mbi një mijë kilometra, të cilat mund të godasin objektiva edhe në Ballkanin Perëndimor.


Lufta hibride nuk është konfrontim ushtarak klasik, por ajo i paraprin atij, duke përhapur frikë, panik dhe pasiguri te popullsia në vendet e shinjestruara.

Shkaku kryesor i zbatimit të luftës hibride kohët e fundit nga Rusia shpjegohet së pari me gjendjen e saj të vështirë në frontin e luftimeve, me humbje të mëdha njerëzore, materiale dhe financiare. Kështu, gjatë 55 muajve të kësaj lufte, Rusia ka humbur mbi 12 232 tanke, 25 075 makina të blinduara, 130 000 automjete dhe cisterna furnizuese me karburant, 47 200 sisteme artilerie, 2 000 lëshues raketash, 1 533 sisteme kundërajrore, 439 avionë, 354 helikopterë, 34 anije dhe dy nëndetëse. Asaj i janë vrarë, plagosur dhe kapur rob 1.5 milion trupa; me një mesatare mujore nga korriku me 40 mijë nga 20 mijë ushtarë të humbur më parë.

Por, megjithatë, prapë Putini nuk do t’ia dijë dhe po bën përgatitje për përshkallëzimin e luftimeve. Sepse për të sipas ekspertëve, më shumë rëndësi ka mbijetesa e tij politike se sa rezultati i luftës në Ukrainë.

Siç e pohoi në një intervistë më 16 gusht edhe ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe ish-shefi i CIA-s, Leon Paletta, duke parë fërkimet brenda NATO-s dhe raportet e saj me ShBA-në, Moska kërkon të testojë pulsin e NATO-s, nëse ajo do të zbatojë Nenin 5 të mbrojtjes kolektive. Dhe mënyra më e mirë dhe më e lehtë për ta bërë këtë, falë edhe përvojës së pasur që ka Rusia është përshkallëzimi i luftës hibride.

Kësisoj, shkaku kryesor i zbatimit të luftës hibride është vështirësia e madhe e Rusisë për të kryer sulme ushtarake në ballë të gjerë ndaj një vendi të NATO-s.

Lidhur me njoftimet dhe paralajmërimet e bëra nga analistë, ekspertë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të sigurisë të vendeve të ndryshme për këto sulme të mundshme ruse, këtu ekspertët ndahen në dy kampe; përfaqësuesit e kampit të parë e pohojnë këtë mundësi, ndërsa ata të kampit të dytë kërkojnë kujdes dhe përmbajtje. Sepse Rusia nuk mund ta ndërmarrë një sulm të tillë, siç bëri në Ukrainë jo vetëm se nuk i ka forcat, burimet dhe trupat ushtarake, por edhe një sulm i tillë mund të jepte efektin e kundërt; ai do ta ndihmonte NATO-n që të forconte vendosmërinë e saj për kundërpërgjigje çka do të ishte fatale për Rusinë. Po aq i pajustifikueshëm është edhe ndonjë sulm ballor masiv rus në krahun lindor të NATO-s dhe në ndonjë prej vendeve baltike, duke kapërcyer kufijtë tokësorë.

Sipas ekspertëve, më realiste në të dy këto raste për Moskën do të ishte prapë lufta hibride. Në rastin e parë, sipas ekspertit të mirënjohur ushtarak austriak, Markus Reisner, sepse “në shoqëritë e sotme evropiane, një mijë trolle interneti kanë shumë më tepër efekt sesa 100 mijë ushtarë të armatosur rëndë”. Ndërsa në rastin e dytë, po sipas tij, nëpërmjet agjentëve të fshehur rusë, sidomos në një qytet si Narva në Estoni dhe duke mobilizuar një pjesë të madhe të popullsisë rusishtfolëse atje mund papritur të shpallin pavarësinë e Provincës së Narvës. Ashtu siç vepruan në Krime dhe në Ukrainën Lindore. Në këtë rast, Perëndimi do ta kishte vështirë të reagonte me vendosmëri. Ca më tepër kur Uashingtoni apo edhe ndonjë metropol tjetër vështirë se do të rrezikonin fillimin e një lufte për hir të Narvës së largët estoniane.

Megjithatë, më 27 gusht, NATO tregoi muskujt duke e paralajmëruar Rusinë që në rast se do të prekte Narvën apo ndonjë vend tjetër baltik, atëherë ajo do të bombardonte Kaliningradin aty pranë, ku ka baza ushtarake dhe raketore ruse!

Ndërkohë, krahas sulmeve me raketa balistike kundër infrastrukturës energjetike dhe furnizmit me ujë të Kievit, ndërhyrjet në zgjedhjet në vende të ndryshme, akteve të sabotazhit dhe spiunazhit, sulmeve kibernetike ndaj ministrive dhe parlamentet e disa vendeve evropiane dhe nëpërmjet dukurisë së re të spiunëve “ me një përdorim” siç po ndodh kohët e fundit, kur aktivizohen për një rast të vetëm agjentë amatorë, pa e ditur identitetin e urdhërdhënësit, Rusia po zbaton me sukses edhe sulmet me dronë. Objektiva të këtyre sulmeve kanë qenë Rumania, Bullgaria, Polonia, vendet baltike dhe tani së fundi edhe Gjermania. Dëshmia më e freskët në këtë drejtim është zbulimi mbrëmjen e datës 5 gusht i një droni të ngarkuar me lëndë shpërthyese në Aeroportin e Laipcigut. Vetëm për shkak të një difekti të ndezësi, ai nuk shpërtheu, çka do të kishte shkaktuar pasoja të mëdha materiale dhe njerëzore. Ndonëse aeroporti në fjalë ka sistem mbrojtjeje anti-dron, në këtë rast ajo dështoi, çka dëshmon se pajisjet e tanishme nuk janë të atij niveli që të përballojnë sulme me dronë të tillë. Këto ditët e fundit po në Gjermani janë gjetur edhe tri dronë të tjerë me lëndë shpërthyese me dyshime të mëdha te Rusia.

Gjithsesi, ekspertët pohojnë se synimi kryesor i atyre dronëve nuk ishte shpërthimi dhe dëmet materiale, por ngjallja e frikës, pasigurisë dhe panikut në Gjermani.

Në fakt, alarmi dhe paniku në politikën, median dhe publikun gjerman ishte i jashtëzakonshëm. Ministri i Brendshëm Federal, Alexander Dobrindt, ndërpreu menjëherë pushimet dhe u kthye në Berlin. Ai foli për një rrezik të ri edhe më të madh, për një sulm me dron jo amator por tejet profesional. Dobrindt e konsideroi këtë sulm si pjesë përbërëse të luftës hibride të “fuqive të huaja” duke nënkuptuar qartë Rusinë, edhe pse nuk e përmendi me emër mbasi ende hetimet vijojnë dhe duhen prova. Sepse, siç tha në televizionet gjermane eksperti i njohur i luftës kundër terrorizmit, Peter Naumann, profesor në King’s College në Londër, “lufta hibride” nuk lidhet me Shtetin Islamik dhe as ekstremin e djathtë, por me Rusinë.

Kjo metodë e luftës hibride krahas propagandës dhe sabotazhit përbën sfidë serioze edhe për një vend të madh si Gjermania. Kjo mbasi autoritetet e saj lipset të bindin publikun se e kanë nën kontroll të plotë gjendjen dhe se shteti mund të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e aeroporteve dhe objekteve strategjike infrastrukturore.

Veç panikut dhe kaosit, këto sulme ngrenë edhe pyetje dhe dyshime të arsyeshme, si p. sh. a mund të vazhdojë Gjermania dhe vendet e tjera të mbështetin Ukrainën me miliarda dhe me armatime, kur më parë duhet të shohin nevojat e mbrojtjes së tyre? Vështirë të jepet një përgjigje e saktë, se ato janë pazgjidhshmërisht të lidhura. Mbi të gjitha, edhe vetë shtrimi i këtyre pyetjeve shkon në favor të Rusisë.

Për shumë shkaqe dhe arsye, në tërësinë e luftës së saj hibride, objektivi kryesor rus është bërë Gjermania. Në fakt, Moska e konsideron dhe e ka shpallur edhe zyrtarisht Gjermaninë si shtetin më të rrezikshëm për sigurinë ruse. Kjo për disa shkaqe themelore. Gjermania është shteti më i madh dhe më i fuqishëm i BE-së, kampion i demokracisë liberale, shteti që shpejti synon të ketë ushtrinë më të madhe në Evropë, vendi që po ndihmon më shumë Ukrainën me të gjitha format, përfshirë edhe dislokimin e brigadës me pesë mijë ushtarakë në Lituani etj.

Po ashtu, propaganda ruse e ka më të lehtë dhe mendon se prek më shumë njerëzit me sulmet ndaj Gjermanisë, duke e trajtuar si pasardhëse të nazizmit dhe Hitlerit, edhe pse Gjermania e bashkuar demokratike nuk ka asnjë lidhje me nazizmin.

Propaganda, diversioni politik dhe publik rus kundër koalicionit qeveritar të kancelarit Merz shfaqet duke e denigruar atë dhe performancën e tij, duke evidencuar dështimet në mbajtjen e premtimeve, mungesën e perspektivës e deri te dëmtimi i kohezionit të brendshëm politik dhe ideologjik dhe largimin e tij nga drejtimi i qeverisë; duke përfituar edhe nga pëlqyeshmëria e ulët publike për Merz.

Në këtë luftë hibride dhe me akte sabotazhi, propaganda dhe diversioni rus antigjerman shfrytëzon edhe nostalgjinë gjermane për vitet 2010-2022, kur ekonomia gjermane përfitonte “dividentin e paqes” në forcën e tarifave të lira të blerjes së naftës dhe gazit rus, duke u bërë tejet e varur prej tij; ishte periudha kur Gjermania dhe BE-ja ndoqën diplomacisë qetësuese dhe përkëdhelëse ndaj Rusisë dhe Putinit, të nisura nga ideja dhe mendimi i gabuar se falë bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, Rusia dhe Putini do të vazhdonin rrugën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Po ashtu, Rusia përfiton edhe nga numri i madh i miqve dhe dashamirësve të Rusisë dhe Putinit ose “Putin’s Verstehers” siç njihen në Gjermani, ku kanë qenë tejet aktive 17 komitete dhe shoqata që merreshin aktivisht me Rusinë dhe mbi 10 forume dialogu me emrat e kryeqyteteve dhe qyteteve të tjera të mëdha ruse dhe gjermane. Ato kanë filluar të riaktivizohen sërish me takime të fshehta.

Shkak dhe faktor tjetër specifik madhor i metodave të luftës hibride ruse në Gjermani lidhet me praninë, ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin e shtuar rus me Partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti me orientim të qartë pro-rus, anti-Ukrainë, anti-evropiane dhe anti-migrim. Ajo është krijuar në vitin 2013 dhe ka ardhur duke shtuar pjesën e saj në peizazhin politik gjerman. Për rrjedhojë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2025 AfD-ja siguroi 22 përqind të votave, duke u bërë partia e dytë më e votuar me 151 deputetë në Bundestag, me vetëm me tre për qind më pak se CDU-ja e kancelarit Friedrich Merz. Ndërsa, në nivel vendor, AfD-ja ka shumë deputetë në parlamentet e 14 nga 16 lande, duke qenë ndër tre partitë më të votuara vendore.

Në zgjedhjet e ardhshme më 6 dhe më 20 shtator në landet ish- lindore, Saksoni Anhalt, Berlin dhe Meklenburg Vorpomern parashikohet që AfD-ja të sfidojë të dy partitë më të mëdha tradicionale, CDU/CSU të kancelarit Merz dhe SPD-në. Sipas sondazheve më të fundit tronditëse dhe që paralajmërojnë një tërmet të fuqishëm politik, AfD-ja mund të fitojë edhe shumicën absolute, duke patur kështu kryeministrin e saj të parë në një shtet gjerman si Saksoni-Anhalt. Së fundi, shqetësim i madh mbetet se pas zbatimit në masë të gjerë të këtyre skenarëve politikë, ekonomikë, psikologjikë dhe rezultateve të mundshme pozitive për të, Rusia mund të përshkallëzoje veprimet, duke kaluar nga lufta hibride në një sulm të mundshëm ushtarak. Kjo tashmë nuk është hipotezë por mundësi e pranuar nga të gjithë në Gjermani dhe në vendet baltike; madje ekspertët ushtarakë e kanë avancuar edhe kohën e një sulmi të tillë përpara vitit 2030. Sepse Putini e di se deri në atë vit, Gjermania do ketë krijuar ushtrinë më të madhe në Evropë dhe BE-ja do ta ketë përfunduar riarmatimin e saj, duke u kthyer në një bashkim të madh mbrojtës. Mirëpo, Moska nuk mund të presë deri atëherë se do të jetë tepër vonë. Ndaj edhe Evropa bën mirë që po përgatitet skenarin më të keq. /Gazeta “Panorama”/