Rubin nga Haga: Donim të ishim në anën e engjëjve – me viktimat

Ish-zyrtari i lartë i administratës amerikane James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se pas përvojës në Bosnjë, SHBA-ja ndjeu një përgjegjësi për të vepruar edhe në Kosovë.
Ai tha se “donim të ishim në anën e engjëjve”.
“Pas Bosnjës që menduam se e ndalëm një luftë dhe ndihmuam – ishim krenarë për këtë që bëmë – dhe pamë një situatë të re në Kosovë. Donim të siguroheshim që të ishim në anën e engjëjve”, tha Rubin.
Ai shtoi se në atë kohë, Shtetet e Bashkuara ishin një superfuqi botërore dhe kishin një përgjegjësi të veçantë për të vepruar në përkrahje të viktimave dhe të drejtave të njeriut, raporton Telegrafi.
Rubin theksoi se SHBA-ja nuk kishte dëshirë të hynte në një operacion ushtarak apo të shpenzonte miliarda dollarë për njerëz që nuk tregonin tolerancë.
“Dëgjoni, këta ishin viktima. E donim të siguroheshim që këta të ishin të lirë”, tha ai. /Telegrafi/





















































