LAJMI I FUNDIT:

RTK: Zgjedhjet e jashtëzakonshme më 8 shtator

RTK: Zgjedhjet e jashtëzakonshme më 8 shtator

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 8 shtator, shkruan Radio Televizioni i Kosovës, duke u thirrur në burime të veta brenda Presidencës së Kosovës.

Siç shkruan ky medium, presidenti Thaçi ka vendosur që, në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore, të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme e të cilat do të mbahen më 8 shtator.


Ndërkohë edhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se duhet të respektohen afatet kohore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Sipas Haradinajt, nuk ka arsye që mbajtja e zgjedhjeve të vonohet.

Haradinaj, në një intervistë për REL, ka treguar arsyet që e çuan atë që të heqë dorë nga posti i shefit të ekzekutivit, duke thënë se bëhet fjalë për intervistë nga Dhomat e Posaçme dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë aktakuzë.

Ndryshe, Ramush Haradinaj, të premten ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur Haradinaj në fund të mbledhjes së Qeverisë, ndërsa ka thënë se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale. /Telegrafi/