LAJMI I FUNDIT:

RTK-së për dy muaj i ndahen 1.7 milion euro

RTK-së për dy muaj i ndahen 1.7 milion euro

Me shume vërejtje dhe kritika, Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa , e ka votuar kërkesën e Ministrisë së Financave , për transferim të 1.7 milion eurove për Radio Televizionin e Kosovës.

Kjo shumë është për periudhën 1 tetor deri më 30 nëntor ndërsa shuma prej 1.4 milion eurove do të ndahet në dhjetor pas aprovimit të rishikimit të buxhetit.


Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa,Lumir Abdixhiku, bashkë me anëtarë tjerë nga opozita kanë hedhur kritika të ashpra ndaj anëtarëve të bordit të RTK-së dhe menaxhmentit për mënyrën e raportimit financiar të RTK-së.

“RTK e sheh buxhetin e qytetarëve si një thes të parave që mundet me i marr ato sa herë duan dhe mund t’i shpenzojnë si të dojnë dhe me ardh këtu në Komision me thënë që po e kalojmë ne se e kemi përkrahjen. Këtë nuk kisha pasur dëshirë me pa. Edhe në qofte se na mund pozita me vota , prapë ne do të bëjmë kauza në parlament dhe në institucione të tjera që kjo çështje të rregullohet. Unë e shikova raportin me kujdes, po pajtohem me të gjitha , e pash me kujdes raportin, asnjë raport kushdo qoftë me x emër që vjen që ka shkurtime të investimeve kapitale e ka rritje të mëditjeve nuk meriton aprovim. S’mundet…..Është interesat se si në n udhëtime zyrtare jashtë vendit i keni harxhuar qindpërqind saktë. As më shumë as më pak. Dy kategori të udhëtimeve zyrtare brenda dhe jashtë vendit 100 përqind, 54 mijë 110 prej 55 mijë eurove. Kjo saktësi të ishte aplikuar edhe në investime kapitale kritika jonë kishte me qenë më e ulët”, tha Abdixhiku.

Ai ka kërkuar që të organizohen raporte të veçanta për RTK-në, e po ashtu ka thënë se herën tjetër kur të vijnë në Komision anëtarët e Bordit të RTK-së me menaxhmentin të sjellin numrin e saktë të të punësuarve.

Safete Hadërgjonaj, anëtare e Komisionit nga PDK-ja ka thënë se është mirë që RTK të mos shihet si institucion i pozitës apo opozitës.

“Unë do të doja që RTK-ja të shikohet edhe nga opozita edhe nga pozita se aq sa është pozitë është edhe e opozitës. Dhe t’i qasemi pak më seriozisht këtij institucioni si institucion dhe mos ta hedhim pozitë -opozitë. Se forcat politike ndryshohen kurse RTK-ja mbetet aty. Dhe nuk do të doja se kush të vijë në pushtet mandej me trajtua ky qenka i opozitës ai i opozitës ne ta trajtojmë institucionin si institucion”, tha Hadërgjonaj.

Kjo deklaratë e ka nxitur , anëtarin e Komisionit Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje të thotë se RTK-ja , është e një grupi kriminal dhe shumë pak e qytetarëve dhe Kosovës.

“Ne nuk folëm për RTK-në ashtu, se RTK-ja veç e publikut nuk është. RTK-ja është kryekëput e grupeve kriminale . Përnjëmend nuk është as e PDK-së po është i grupeve kriminale që vjedhin shumë, shumë pare. Kështu që hiq nuk është e qytetarëve, hiq nuk është e opozitës është pak e pozitës, por edhe ajo pak është e grupeve dhe individëve brenda pozitës. Kështu nuk po flasim për atë pjesë . Ne folëm dhe mos na tregoni çka me bo. Keni qenë deri tash e keni menaxhuar , i keni dërguar drejtorët, i keni dërguar krejt këta edhe nuk është këtu që nuk ka histori. Por përkundër kësaj ne u përmbajtëm edhe tham po flasim veç sa para i keni sa staf i keni, qysh me i menaxhuar këto para më së miri. Se me bo me hy andej nuk dilet hiq….RTK nuk është e Kosovës, hiq në kurrfarë aspekti. Por duhet me punua me e kthyer nëse Bordi nuk do , duhet me i përdor krejt çështjet me e kthye edhe kemi me kthy me zor “, tha Mol liqaj.

Menjëherë ka reaguar Hadërgjonaj , duke thënë se nuk është mirë që si deputet dhe të gjithë duhet të kryejnë obligimin qytetar t’i njoftojnë organet përgjegjëse.

Për mua është shqetësueses kur në institucionin më të lartë që është institucioni i Kuvendit çdo fjalë që thuhet është :’ grupe kriminale, vjedhje , vjedhje’. Unë jam ithtare e asaj që çdo grup kriminal , kudo qoftë ai e ka vendin në burg. …Nëse i din dikush grupet kriminale dhe i hesht le ta mban në përgjegjësinë e vet. Unë nuk i di grupet kriminale, sikur t;i dija grupet kriminale do ta kryeja obligimin tim”, tha Hadërgjonaj.

Pas këtij debati fjala iu dha kryetarit të Bordit të RTK-së ku nga ai është kërkuar se pse po rritet numri i të punësuarve dhe sa është numri i saktë i tyre.

Bexheti tha se në RTK janë rreth 700 punëtorë me kontratë mbi vepër ndërsa tha nuk mund të dijë për numrin e saktë pasi që ai numër varion varësisht nga produksionet që blejnë nga jashtë.

Ai tha se si Bord kanë kërkuar nga menaxhmenti të dhënat për shpenzimet në mënyrë që të marrin hapa të mëtutejshëm.

“Investimet kapitale , mallrat dhe shërbimet për shkak të një përqindjes së lartë ose të ulët të shfrytëzimit të mjeteve këto është shumë të tjera edhe ne i kemi ngrit si Bord me menaxhmentin dhe kemi kërkuar në mënyrë më të detajuar që të na sjellin drejtori i përgjithshëm edhe të merren hapa të mëtutjeshëm. Atëherë kanë rreth 700 punëtore në kontratë mbi vepër diku kanë kaluar deri në 900 e diçka nuk kanë arrit njëmijëshin. Punëtorët me shërbime ju e dini , punëtorët me kontratë mbi vepër janë pjesë e këtyre produksioneve të jashtme ose për nevoja specifike . Një emision shkon 30 punëtorë…Pra punëtorët me shërbime nuk i dimë kurrë se sa janë saktë se mund të variojnë “, tha Bexheti.

Grup hetimor parlamentar për RTK-në ka kërkuar deputeti dhe anëtari i Komisionit nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti.

Ai ka përmendur kohën kur edhe njëherë është formuar grupi hetimor për RTK-në dhe në atë kohë sipas tij në RTK kanë qenë të punësuar 900 punëtorë.

Komisioni për Buxhet dhe Financa në këtë mbledhje ka miratuar në parim Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.