LAJMI I FUNDIT:

Rrugët drejt Rugovës në gjendje të rëndë, MI nuk tregon nëse planifikojnë intervenim

Rrugët drejt Rugovës në gjendje të rëndë, MI nuk tregon nëse planifikojnë intervenim

Me infrastrukturë të dobët e me mungesë të energjisë elektrike, po përballen banorët e fshatrave në zonën e Rugovës në Pejë. Ata thonë se kjo po ndikon në uljen e numrit të vizitorëve. Derisa komuna e KEDS thonë se janë duke punuër për instalimin e linjës së re të gjatë të tensionit të mesëm, nga Ministria e Infrastrukturës, nuk kanë treguar nëse kanë ndonjë plan për sanimin e gjendjes.

Vizitorët që ia mësyjnë Grykës së Rugovës, përballet me një gjendje të tillë  të rrugës tash e një kohë të gjatë.

Madje në rrugën që të qon në fshatrat e zonës së Rugovës, që vizitohen nga një numër i konsideushëm turistësh çdo vit, ka edhe shembje dheu e asfalti.

Flamur Rexhbogaj, përfaqësues i banorëve të kësaj pjese, thotë se tash e disa vite rruga u shkakton probleme të shumta.
“Në përgjithësi në atë trevë, edhe turistët që po ia mësyjnë Rugovës, është rruga, rruga është bërë e pakalueshme, inevstime në atë rrugë nuk ka. Mirëmbajtja po ashtu ka qenë e vonshme, në muajin Janar ja ka filluar mirëmbajtja, cka ka qenë e tmerrshme”, ka thënë për RTV Dukagjinin, banori Flamur Rexhbogaj.

Tutje Rexhbogaj thotë se përveç problemeve me rrugët, ata ballafaqohen edhe me mungesa të shpeshta të energjisë elektrike, cka ka ndikuar edhe në uljen e numrit të vizitorëve.
“Aty energjia elektrike, ndalet me ka dy javë,e dhe pse ekipet e KEDS vazhdimisht përpjekën, por vija që e përqon rrymën elektrike në Rugovë është e vendosur, në vende që është kogja vështirë për tu kontrolluar, sidomos gjatë dimrit”, ka theksuar tutje Flamur Rexhbogaj.

Për problemet e banorëve në këtë pjesë, janë në dijeni edhe nga komuna e Pejës, të cilët thonë se janë duke bërë investime në rrjetin energjetik, e për rrugën hedhin fajin tek Ministria e Infrastrukturës.

“Rugova ka pasë e ka me pas investime edhe në të ardhmen, sepse ne atë pjesë e shohim si kryesore, pjesën turistike për Pejë, ne kemi ndarë mjete për rrugë ne jemi duke e rregulluar pjesën e rrymës, jemi duke i larguar prej pjesëve malore, me i pru në rrugë kryesore, sepse kemi pasur probleme gjatë dimrit”, ka deklaruar Faik Zekaj- zëdhënës i Komunës së Pejës.

Ngjashëm, edhe nga KEDS-s, kanë thënë se bashkë me Komunën, janë duke kryer investime në një projekt të përbashkët për instalimin e linjës së re të gjatë tensionit të mesëm, pjesa me e madhe e së cilës do të jetë nëntokë.

“Deri më tash, punimet për një pjesë të konsiderueshme të kësaj dalje kanë përfunduar. Brenda një afati të caktuar, konsumatorët tanë në Rugovë do të kenë një rrjet elektroenergjetik të ri dhe të qëndrueshëm. Atje është zonë e thepisur malore dhe sigurisht faktorët atmosferikë kanë impakt të konsiderueshëm, sidomos gjatë dimrit”, ka deklaruar KEDS.